Të zhgënjyer nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha, një grup deputetësh dhe ish-funksionarësh të lartë të Partisë Demokratike, prezantuan grupimin e ri politik, Djathtas 1912.
Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu, Edvin Kulluri dhe Rezart Kthupi dhe ish-zyrtarë të tjerë si nismëtarë të kësaj force politike treguan dhe parimet mbi të cilat do të ecin, për të kërkuar votat e shqiptarëve në vitin 2025.
“Ne besojmë në parimet e spektrit të djathtë, i cili ka në themelet e tij lirinë e individit si baza e të gjithë e kohezionit shoqëror, ekonomik dhe politik. Për ne përfaqësimi sa më i drejtpërdrejtë i sovranitetit popullor në çdo nivel të qeverisjes është jetësimi i lirisë. Ne e shohim zhvillimin e vendit të bazuar mbi pesë shtylla themelore të lirisë: individin, pronën, familjen, vetëqeverisjen dhe besimin”, tha Enkelejd Alibeaj, Djathtas 1912, shkruan A2.
Deklarojnë se Djathtas 1912 në zgjedhje do të garojë më listë të hapur si një prej parimeve bazë të krijimit të kësaj force politike, barazinë para sovranit. Nismëtarët e kësaj force të re politike shprehen se ky subjekt iri nuk do të jetë i askujt, ndaj dhe drejtimi do të jetë kolegjial, pa një kryetar.
“Do ketë drejtim kolegjial deri në zgjedhjet e 2025”, tha Rezart Kthupi, Djathtas 1912.
Sa i përket aleancave politike, pohojnë se nuk do të kenë bashkëpunim me Partinë Demokratike, pasi sipas tyre vija e kuqe e është Sali Berisha.
“E sigurt, që ta dini mirë, ashtu siç kemi thënë, zotin Berisha nuk e pranojmë dot si kryeministër”, u shpreh Edvin Kulluri, Djathtas 1912.
Por kur përmendet emri i Lulzim Bashës, vijat e kuqe zhduken dhe tregohen rrugët se si mund të bashkëpunojnë.
“Kush pranon këtë vlera, këtë kartë të parimeve të vlerave, kush është për një mbështetje pa kushte të drejtësisë së re, e ka derën këtu, e ka vendin këtu, kush nuk do është i lirë të bëjë zgjedhjen e vet”, tha Alibeaj.
Në ditët në vijim Djathtas 1912 pritet që të prezantojë edhe programin elektoral për zgjedhjet e vitit 2025. (A2 Televizion)