Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë. Ai u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti Bajram Begaj dhe aktualisht po zhvillon një takim kokë më kokë me kreun e qeverisë Edi Rama në kryeministri. Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi raportoi për Ditarin me Denisa Pashollin, se pas takimit nuk do të ketë një konferencë për shtyp mes dy liderëve, por thjesht një deklaratë mediat.
“Në 12:15 do të pritet nga kryeministri Rama dhe rreth orës 13:15 do të mblidhet këshilli i nivelit të lartë dhe pritet të firmosen 3 marrëveshje mes dy vendeve. Rreth orës 14:35 do të deklaratë për shtyp mes dy liderëve, jo konferencë për shtyp”, u shpreh gazetarja e A2.
Vizita e tij përfundon me përurimin e xhamisë së Namazgjasë, e cila është parashikuar në orën 16:50 dhe më pas lideri turk do të largohet në 17: 45 për të shkuar drejt Beogradit ku nesër ka takime me liderët në Serbi.
Mbrëmjen e djeshme kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali njoftoi anulimin e seancës së sotme pa dhënë detaje mbi detajet e këtij vendimi, mbi të cilin pati reagime dhe kundër reagime nga të dy palët. Partia Demokratike e quajti vendimin antikushtetues, ndërsa Spiropali në përgjigje të këtij reagimi shprehu keqardhje për deklaratën e grupit parlamentar demokrat. Gazetarja e A2 tha se parlamenti ndodhet pranë xhamisë së Namazgjasë që është zonë e sigurisë së lartë për shkak të vizitës së delegacionit turk.
“Parlamenti ndodhet pranë xhamisë. Më shumë se kundërshtimi i opozitës zona e Namazgjasë ka qenë e siguruar me bllokues valësh për të garantuar sigurinë ku do të kalojë delegacioni turk. Anulimi i seancës ku pritej të kishte tensione nga opozita po shfrytëzohet nga të dyja palët. Për këtë arsye opozita ka të drejtë në reagimin e saj, por nga ana tjetër ishte në dijeni që ajo zonë ishte e sigurisë së lartë. Të dyja palët kanë patur reagime e kundër reagime”.
(A2 Televizion)