Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po rrënon ekonomikisht qytetarët shqiptarë, duke pasur si qëllim, sipas tij, vetëm kapjen e të gjitha pushteteve. Ndërsa, në lidhje me korruptimin e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal, Basha u shpreh se Rama bëri një lojë të ndyrë politike ndaj tij si kryetar partie.
“Në cilin vend tjetër të botës mund të gjejmë raste si ai, që konkludoi ditën e premte me dënimin me 2 vjet e 4 muaj burg të ish-zyrtarit të FBI-së për Nju Jorkun, sepse u korruptua nga Edi Rama vetëm e vetëm për të sulmuar kryetarin e Partisë Demokratike, rivalin e tij për kryeministër. Rama përdori paratë e taksapaguesve shqiptarë për një luftë të ndyrë politike”, tha Basha.
“Pavarësisht se sulmi ishte personal, ishte sepse unë isha rivali për kryeministër dhe kjo i jep kësaj afere përmasa unike, në radhë të parë për komunitetin e shteteve që pretendojmë se ndajmë të njëjtat vlera me ta. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që i pari i qeverisë të korruptojë një nga zyrtarët më të lartë të një vendi mik dhe partner strategjik”, shtoi Basha. (A2 Televizion)