“S’keni gojë të flisni për Bashën”, Sekretari i PD sulmon Bardhin: Pse nuk e sfiduat për kryetar?

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2024, 16:07 | Politikë

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD zyrtare, Indrit Sefa ishte i ftuar në “Ditari” i A2CNN ku komentoi bashkimin e Rithemelimit të Berishës me grupin Bardhi dhe ftesën e federatës së opozitës së bashkuar për Lulzim Bashën.

Sefa hodhi poshtë një bashkim të PD-së zyrtare me Federatën, të cilën e cilësoi një koalicion anti-SPAK, duke thënë se ka bërë bashke tre persona nën hetim dhe akuzë, duke iu referuar Fatmir Mediut, Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Ndër të tjera, edhe pse pa përmendur emra, Sefa iu drejtua me një mesazh Gazment Bardhit dhe grupit të tij të deputetëve, por pa ua hedhur poshtë punën e bërë në opozitë dhe faktin që fituan simpatinë e bazës së PD.

Sipas tij koha e tyre për të folur dhe kërkuar llogari demokratëve ka mbaruar, pasi mund ta kishin bërë duke u kërkuar votën për kryetar përballë Lulzim Bashës në garën e brendshme të PD-së zyrtare.

Ne patëm një proces zgjedhor brenda PD. Të gjithë këta që duan dhe kanë ambicie për drejtimin e PD dhe mendojnë se mund ta bëjnë më mirë këtë punë, patën një periudhë njëvjeçare vakumi total në drejtimin e PD. Kjo ju dha mundësi që pjesa më e madhe e tyre të shkëlqenin me opozitën e tyre. Ju dha mundësinë që këta të krijonin pëlqimin në bazë, në strukturat e PD që të bënin ç’është e mundur që ata në zgjedhjet e ardhshme brenda PD t’iu jepej mundësia të kandidonin dhe të fitonin. Asnjëri prej tyre nuk pati guximin, vullnetin, dëshirën për të drejtuar. Pjesë më e madhe e tyre janë mësuar të rrinë në hije, të bëjnë liderin pas kuintave. Kur drejton partinë merr dhe përgjegjësi dhe benefite. Prandaj asnjëri prej tyre që nuk patën guximin dhe vullnetin për të drejtuar PD dhe për t’u dhënë demokratëve një alternativë më të mirë nuk ka sot gojë të dali dhe të kundërshtojë zgjedhjen e demokratëve. Ti dilnit përballë zotit Basha dhe çdo kandidati tjetër. Të fitonin dhe të drejtonin PD. Politikanë që nuk bëjnë beteja vetëm këtu te ne ka.

I vendosur përballë faktit se Gazment Bardhi ka bërë betejë të fortë opozitare përkrah tij dhe deputetëve që sot rreshtohen krah Bashës, Sefa tha se nuk di cilin version të kreut të Grupit të PD-së të besojë.

Nëse ti o ke qenë i vërtetë atëherë ose je i vërtetë tani. Këtë të na shpjegojë. Ose atëherë mbështesje organet e drejtësisë dhe strukturën e posaçme, ose sot thua që këta janë organizatë kriminale.

Kritikat ndaj grupit Bardhi dhe deputetëve të Rithemelimit i çoi edhe më tej, duke i akuzuar se kanë qenë “garda pretoriane” e Lulzim Bashës, ndërsa sot dalin dhe e kritikojnë.

Qëndrimi që mbajti zoti Basha është dinjitoz. Zoti Basha përpara interesit të PD dhe atij personal zgjodhi interesin e demokratëve. Se nëse zoti Basha nuk do merrte vendimin për përjashtimin e zotit Berisha e di si do ishin në radhë këta. Këta që dalin dhe e shajnë sot nuk linin radhë të takoje mo. Rrinin në radhë në zyrë, në paradhomë. Të hyje në paradhomë dhe të takoje zotin Basha të shikonin me urrejtje të gjithë. Kanë qenë garda pretoriane e Lulzim Bashës të gjithë këta që dalin sot dhe e shajnë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli