Po këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme është dhe seanca e radhës për marrjen në pyetje të Sali Berishës, nën hetim për çështjen e privatizimit të klubit Partizani.
Ky është afati i dytë i vendosur nga gjykata për masat ndaj ish-kryeministrit, i cili deri më tani ka refuzuar të shkojë në gjykatë për t'u pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore, duke e konsideruar një proces antikushtetues, që nuk mori leje nga Kuvendi në një kohë që ai ka imunitet si deputet.
Pas këtij momenti pritet të ketë dhe një qëndrim nga gjykata, për ashpërsim ose jo të masës ndaj tij.
Nga ana tjetër, në të njëjtën ditë, Apeli i Posaçëm pritet të shqyrtojë dhe ankimimet e bëra si nga Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili është lënë në “arrest me burg” për këtë çështje.
Avokatet e Berishës kane kërkuar deklarimin e humbjes së fuqisë së masës së parë “detyrim paraqitje”, pikërisht pasi sipas tyre, ajo nuk është zbatuar brenda 48 orëve referuar Kodit të Procedurës Penale.
Ndërkohë, Jamarbër Malltezi kërkon heqjen e masës “arrest me burg”. (A2 Televizion)