Një dokument jo më i gjatë se 2-3 faqe, shoqëruar nga 11 firma, shënon zyrtarizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar.
Përfaqësuesit e forcave përkatëse politike u mblodhën në një tryezë të premten, ku shpjeguan se diversiteti nuk i pengon që të vendosen përballë Edi Ramës.
“Për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e shqiptarëve, përmes një politike që tejkalon debatin rreth liderëve politikë, por që bashkohet rreth ideve me interes kombëtar. Deklarojmë institucionalizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, sipas parimit ‘Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”. Rikonfirmojmë vendosmërinë për t’u përballur me regjimin e korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës,” u shpreh Mediu.
“Të gjithë biem dakord që nëse bashkohemi jemi më të fortë përballë mazhorancës, natyrisht bashkimi bëhet rreth ideve dhe jo individëve,” shtoi Duka.
Mediu dhe Duka si organizatorët e kësaj tryeze sqaruan se ftesa ishte dërguar dhe në adresë të Lulzim Bashës dhe Dashamir Shehit, por nuk ishte pranuar prej tyre.
“A është ftuar apo i është çuar ftesa X politikani? E kanë marrë. Shpresoj që sot ne të vendosim një marrëdhënie me njëri-tjetrin, kjo tryezë është një derë e hapur për këdo politikan,” deklaroi Mediu.
“Unë ju bëj thirrje dhe atyre që janëpaksa skeptikë që nuk kanë ardhur dhe kanë shprehur dakordësi me këtë llojplatforme, sepse kam komunikuar më ta, më kanë thënë që ‘ideja është shumë emirë, por do ta shohim në perspektivë,” shtoi Duka.
Demokratët e Rithemelimit përfaqësoheshin nga Flamur Noka dhe Gazment Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm u tregua optimist nga ky bashkim dhe bëri thirrje që bashkëpunimi të tregohet dhe në protestën e 20 Shkurtit.
“Krijimi i këtij fronti dëshmon më në fund se opozita është në lartësinë e kërkuar, pas krizës së rëndë politike, por jo vetëm dhe ekonomike dhe shoqërore,” deklaroi Noka.
Gazment Bardhi zgjodhi të mos fliste në tryezë, por qëndrimin e tij e dha para mediave.
“Biem dakord të gjithë se kjo është njëditë e mirë për opozitën, pas bashkimit të PD, sot kemi dhe bashkimin e forcave që janë në opozitë, për të formalizuar atë që prej kohësh flitej, Federatën. Opozita e përçarë ka qenë dhurata më e mirë për qeverinë e Ramës”.
Partitë opozitare vendosën që të mblidhen sërish për të zbatuar platformën, ku si detyrë kryesore evidentohet garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe rikthimi i pluralizimit dhe demokracisë funksionale. (A2 Televizion)