Sondazh: Sipas jush, brezi më i lumtur është:
  • X (1960-1980) 33%
  • Millenials (1981-1996) 56%
  • Z (1997-2011) 11%
  • Alpha (2012-2025) 0%

“Reforma është thelbësore”. Blinken, mesazh pas takimit me krerët e drejtësisë

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2024, 10:24 | Politikë

Pas largimit nga toka shqiptare, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndau një mesazh ne rrjetet sociale për takimin me njerëzit e krerët e drejtësisë shqiptare.

“Reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrim në BE. U takova me drejtuesit e reformës në drejtësi në Tiranë për të përgëzuar progresin e tyre në avancimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e korrupsionit”, thekson Blinken.

Ndërsa ambasada amerikane në një postim, gjatë ditës së sotme, theksoi se “megjithëse reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, e përsosur, apo e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të veprojnë me guxim ndaj pandëshkueshmërisë dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë”.

Blinken 8 orë në Tiranë

I përpiktë me orarin, në orën 11:13 avioni me të cilin udhëtoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, preku tokën shqiptare në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.

Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, shefi i diplomacisë amerikane u shoqërua edhe nga Yuri Kimi, ish-ambasadorja në Shqipëri, tashmë në një pozitë më të lartë në Departamentin e Shtetit. Mikpritësit e parë ishin ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, dhe i Ngarkuari me Punë i SHBA-së në vendin tonë, David Wisner.

Pak qetësim në dhomat e hotelit për t’u drejtuar për tek ambasada, aty ku takoi stafin dhe një përfaqësi të afganëve që strehohen në Shqipëri.

Blinkeni i shkoi në zyrë Presidentit të Republikës për gati 20 minuta takim. Bajram Begaj është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Piramida ishte destinacioni i radhës, për të takuar të rinjtë, të cilët kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimeve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Me këtë u përçua mesazhi se investimi tek të rinjtë do të jetë angazhimi themelor në nisjen e këtij shekulli të dytë në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

Ndërsa Kryeministri u largua drejt selisë së qeverisë, Antony Blinken bisedoi me drejtuesit e institucioneve të Drejtësisë, të cilët prisnin tek Piramida në një ambient të veçuar. Pas 15 minutash, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, kreu i Gjykatës së Lartë, Drejtuesi i SPAK dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë dolën nga takimi, ndërsa sekretari i Shtetit iu drejtua Kryeministrisë.

Mbështetja e SHBA-së ndaj drejtësisë ka qënë pikërisht një nga temat e diskutuara mes Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe kryeministrit Rama. Këtë e pohuan të dy zyrtarët në konferencë për shtyp, madje Rama zbuloi që reforma në drejtësi do të vijojë. 

Përjashtoi opozitën shqiptare nga agjenda zyrtare. Sekretari i Shtetit e konsideroi të panevojshëm takimin me ta.

Nga Tirana kryediplomati amerikan i dërgoi mesazh Kosovës dhe Serbisë që të ecin drejt rrugës së vetme, që sipas tij do t’i japë zgjidhje tensioneve. 

Gjuhën diplomatike të zyrtarit të lartë amerikan e deshifroi Edi Rama për një apel të drejtpërdrejtë. 

Pasi tha që muajin e ardhshëm do të përurohet edhe baza e NATO-s në Kuçovë, Blinken zbuloi që në takimin me dyer të mbyllura është diskutuar edhe për një bazë tjetër në Porto Romano. Por, sipas tij, ky do të jetë një vendim i Aleancës Euroatlantike.

Një merak i mbeti kryeministrit Rama, i cili tha se kishte shtruar tryezën e bukës, por miku nuk do t’i qëndrojë.

Me dy memorandume të firmosura dhe 8 orë takime në Tiranë, Antony Blinken përmbylli edhe vizitën në Shqipëri, duke u bërë kështu i gjashti Sekretar Shteti që vizitoi vendin tonë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani