Opozita në protestë, mazhoranca ‘harron’ interpelancën e PD zyrtare, miraton lojërat e fatit

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2024, 18:56 | Politikë

Garda nuk u duk në dyert Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Gazment Bardhi këtë të enjte hynë lirisht në Kuvend. 

Paqësorë ishin edhe të përjashtuarit, të cilët këtë herë zgjodhën që të mos ishin as në oborrin e Kuvendit. Por në sallën plenare protesta e demokratëve vijoi njësoj si më parë. Kaosi nisi, pankartat u ngritën, u ndezën zhurmuesit. 

Në kampin tjetër demokrat, atë të Lulzim Bashës kishin kërkuar interpelancë me kreun e qeverisë. Arbi Agalliu si prezantuesi i interpelancës deklaroi se përgjigjet i priste nga Rama dhe jo nga Spiropali, por teksa ishte duke u shpjeguar fjala iu ndërpre nga demokratja Elda Hoti.

Qëndrimet që nuk i bënë dot publike në sallën e seancëve plenare, Lulzim Basha i shpjegoi para mediave. 

“PD nuk do të dorëzohet para këtij realiteti, para këtij teatri, të qartë që luajnë me njëri-tjetrin. Ndonëse i ikën interpelancës, përgjegjësisë nuk do t’i ikin dot. PD po përgatit dhe javën e ardhshme do të dorëzojë në SPAK padi penale bazuar mbi faktet e reja të dala në dritë, përfshirë pohimet e ish-zv.kryeministrit që përfituesi i vërtetë i aferës së inceneratorëve është Rama”, tha Basha.

Por teksa kreu i PD zyrtare, Lulzim Basha kërcënonte kreun e qeverisë me padi, deputetët e mazhorancës miratuan me shpejtësi ligjet e rendit të ditës.

Deputetët e mazhorancës që zgjodhën të mos ngrenë kartonin jeshil ishin Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj. Por socialistët u bënë bashkë për të miratuar 22 Nëntorin, ditën Alfabetit, si festë kombëtare.

 

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli