Në konferencën e përbashkët për shtyp, krah Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kryeministri Edi Rama e quajti vizitën e tij si historike dhe një shenjë shumë të rëndësishëm për raportin mes 2 vendeve, SHBA-Shqipëri, por për të gjithë rajonin.
"Ditë e shënuar me një rëndësi të veçantë në historinë e marrëdhënieve me SHBA, dita kur Sekretari i Shtetit viziton vendin tonë dhe në llogarinë tonë ju jeni i gjashti, por këtë herë ne kemi një vlerësim të vecantë për këtë vizitë sepse jemi të vetëdijshëm për kohën e shumë të trazuar jo vetëm në kufi të Europës por edhe në zona të tjera strategjike dhe rrjedhimisht për ngarkesën e posaçme të agjendës suaj dhe fakti që ju gjetët kohë dhe e patë të nevojshme që të ndaleni në Tiranë është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë, por edhe e vlerësimit që ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe patjetër këtij rajoni", u shpreh kreu i qeverisë.
Rama nuk i kurseu as batuta që shkaktuan jo pak të qeshura në sallën e Kryeministrisë.
“Nuk mund të mos e ndaj keqardhjen që mes një darke me ne në Shqipëri dhe një darken në Mynih ku duhet të niseni menjëherë ju zgjodhët ushqimin jo dhe aq të shijshëm gjerman, ne tonën e bëmë, darkën e kishim gati. Jemi të nderuar dhe mund ta them pa zbukurim diplomatik që jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi i hapur dhe niveli i ndërveprimit mes nesh”, tha Rama.
Në takim u nënshkruan dhe disa marrëveshje mes 2 vendeve.
(A2 Televizion)