72 vota pro e 2 abstenim, parlamenti miraton aktin final që rikthen bastet sportive online

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2024, 19:04 | Politikë

Pesë vite nga “Fundi i Marrëzisë”, nismës së qeverisë që uli qepenat e mbi 2 mijë pikave të basteve në gjithë vendi. Pas më shumë se një viti diskutimesh, Parlamenti i dha “dritën jeshile” aktit final të rikthimit të lojërave sportive.

Mes zhurmës së bilbilave të demokratëve, me 72 vota “pro” dhe abstenimet e Erion Braçes e Fatmir Xhafajt, “socialistët” miratuan projektligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

Qëndrimin e mbajtur në seancën e së enjtes, socialisti Braçe e kishte paralajmëruar në fakt ditë më parë përmes një video në rrjetin social Facebook ku edhe shpjegonte arsyet.

“Nga 200 lekë të luajtura nga lojtari sporti s'do të marrë as 5 lekë, pra 4.5 lekë, dhe tregon monedhën 5 lekëshe. Ndërkohë nga 200 lekë të luajtura nga lojtari, nga viktima do të shkojë si TVSH në buxhetin e shtetit 2.32 lekë pra më pak se gjysma e 5 lekëshit. Bastet do të shkatërrojnë sportin”, do të shprehej Braçe.

Por pavarësisht këtyre kundërshtive, duke ruajtur propozimin fillestar të ish-ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, socialistët vendosën që fitimet e 10 kompanive që do të licencohen për 10 vite, të tatohen me 15 për qind, ndërsa të ardhurat që do të përftohen nga ata që luajnë me plotë 23 për qind.

Ndërkohë kolegët miratuan kërkesën e Braçes që heq nga përbërja e Komisionit të Licencave pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Komitetin Olimpik Shqiptar. 

Komisioni do të licencojë kompanitë që do të mundësojnë ushtrimin e  basteve sportive “online” do të përbëhet nga dy përfaqësues nga Ministria e Financave, një nga ajo e Ekonomisë dhe një nga “mbrojtja sociale”.

Parlamenti votoi gjithashtu pro amendamenteve të pesë deputetëve socialistë që ndalon reklamimin e lojërave të fatit në televizione apo median “online”.

Me ndryshimet e miratuara ligjore, për të luajtur baste sportive “online”, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të identitetit në faqet ëeb ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Gjithashtu do të krijohet një regjistër elektronik që do të ndalojë të luajnë ata që kanë varësi apo probleme të tjera me lojërat e fatit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos