Prej kohësh, kryeministri Edi Rama kishte zgjedhur që të mos reagonte për aksionin opozitar, mirëpo fakti që mediat ndërkombëtare raportuan flakën në Kuvend, ai tha se nuk kishte se si të heshtte. Ai e ka etiketuar si një “sensasion zoologjik” dhe se është një tregues i qartë që opozita nuk ka lënë asnjë mundësi pa bërë që Shqipëria të duke keq në sy të botës.
Ajo që e shqetëson më shumë, tha Rama në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste, është fakti që opozita entuziazmohet nga kjo gjë sepse e shohin si mbështetje ndaj tyre. Mirëpo, sipas tij nuk është gjë tjetër veç se një sensasion si “një grup njerëzish kanë ngatërruar parlamentin me një shpellë dhe kanë ndezur një zjarr”.
“Entuziasmi dhe eksitimi sesi ajo flaka e ndezur në parlament mori dhenë në mediat e botës, më bën që të mos rri pa e komentuar këtë gjë, sepse e vërteta është që përsëri kanë eksportuar jashtë Shqipërisë një produkt të një shëmtie të jashtëzakonshme dhe ata që e kanë publikuar, e ka publikuar si një kuriozitet zoologjik, jo si revolucion. Të nxjerr flakë në një parlament të Europës, është sensasion, nuk diskutohet, është njësoj si papritur një grup njerëzish kanë ngatërruar parlamentin me një shpellë dhe kanë ndezur një zjarr, por efekti mbi Shqipërinë për çdo lloj spektatori të pa interesuar për të hyrë në detaje, patjetër që është ky, “ore c’është ky vend, ose si ka mundësi parlament zjarr, a ia vlen të ikim vitin tjetër”, të entuziasmohesh për këtë është një shëmti, këtë e kanë bërë gjithmonë. Nuk kanë lënë mundësi pa e bërë që të duket keq në sy të botës, po kjo e fundit një sensasion zoologjik”, tha Rama.
Nga ana tjetër, opozita ka paralajmëruar se do të vijojë aksionin e saj, duke mos e përjashtuar si mundësi grevën e urisë. (A2 Televizion)