Hetimori për Shëndetësinë, komisioni i kthehet punës, palët ulin tonet dhe gjejnë dakordësi

Nga Anesti Barjamemaj
17 Maj 2024, 16:05 | Politikë

Komisioni Hetimor për koncensionet në shëndetësi, check up dhe sterilizimin, iu rikthye normalitetit pas më shumë se dy javësh bllokim dhe retorikë të ashpër nga të dyja palët. Protagonistët e sherrit, kryetarja demokrate Albana Vokshi dhe nënkryetari socialist, Plarent Ndreca, ua lanë të tjerëve komentet për kthimin e qetësisë.

“E përshëndes mënyrën e procedimit në mbledhjen e sotme”, tha Petro Koçi.

“Është shumë mirë dhe kjo na bën që të jemi në lartësinë e duhur. Duhet të vazhdojmë kështu”, u shpreh Ilda Dhori.

Ankesa e opozitës tek kryetarja e Kuvendit dhe mbledhjet jashtë syrit të medias mes Albana Vokshit dhe Plarent Ndrecës rezultuan të frytshme, duke arritur dakordësi për shumicën e çështjeve.

“Është rënë dakord për objektin dhe qëllimin e hetimit. Nuk është rënë dakord për caktimin e kufijve të hetimit. Është dakord për strukturimin e ekipit hetimor, për mbledhjen e provave. Është rënë dakord për mënyrën e raportimit dhe rekomandimet”, u shpreh Vokshi.

“Ne vlerësojmë që njëra nga dy kontratat, ajo e sterilizimit, duhet të hetohet i gjithë konteksti i lidhjes së kontratës. Duhet hetuar se çfarë ka ndodhur para lidhjes së kontratës, në momentin e lidhjes dhe pas lidhjes së kësaj kontrate”, tha Ndreca.

Edhe këtë mosdakordësi mbi shtrirjen kohore të hetimit për sterilizimin, palët vendosën ta zgjidhin në biseda private, për t’u rikthyer në mbledhjen e ardhshme me një zgjidhje.

“Dele qartë që ne nuk po biem dakord në këtë pikë, për të treguar vullnet që ne duhet të vijojmë të ecim me hetimin, të mos ngelemi peng e këtij momenti. Ta diskutojmë në mbledhjen e ardhshme dhe të mos ngelemi peng”, theksoi Ndreca. 

“Jeni dakord me këtë, jeni të gjithë dakord me këtë vendimmarrje. Të gjithë jemi dakord që të kalojmë të gjitha pikat e tjera, përveç pikës 2”, deklaroi Vokshi.

Me konsensus mbledhja tjetër u caktua të martën e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos