Ervin Salianji ka patur këtë të martë në burgun e Fierit vizitorin e parë nga bota e politikës dhe çuditërisht jo nga radhët e Partisë Demokratike.
Ish-deputetin opozitar ka shkuar për ta takuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Vetë Presidenti i PL përmes një postimi në rrjetin social Facebook bën me dije se “takimi ishte shprehje e solidaritetit kundër Narkoregjimit në fuqi dhe Narkodrejtësisë”.
“Sot, me kërkesën time, së bashku me anëtarin e Kryesisë të Partisë së Lirisë, Avokat Genc Gjokutaj, takova në burgun e Fierit deputetin tribun të Partisë Demokratike dhe opozitës, z.Ervin Salianji, i cili po vuan burgun politik të Narkoshtetit. Ky takim më bindi edhe më shumë se burgu politik vetëm e ndez frymën e Ndryshimit dhe përmbysjen e juntës në fuqi”, njofton Meta.
Në vijim, ai nënvizon se është krenar për “heronjtë e fjalës së lirë, të cilët as në burg nuk e humbasin Lirinë”. (A2 Televizion)