Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka denoncuar ditën e sotme disa fakte që lidhen me hetimin 4-vjeçar të aferës së inceneratorëve.
Ai u fokusua te djegësi i Tiranës, duke zbuluar 7 raste konkrete se ku fshihen paratë publike që janë vjedhur nga ky koncesion.
“Në korrik të vitit 2021, kompania e famshme ITS lidh një kontratë me subjektin “Llanaj Ndërtim” sh.p.k. Objekti i kësaj kontrate ishte që kompania e Klodian Zotos do të merrte përsipër pagesën e depozitimit të 85.000 ton dhera, në landfillin e Sharrës, ndërkohë që subjekti për këtë pagesë do të përfitonte në këmbim 500 m2 ndërtim në një prej projekteve të ndërtimit të kësaj kompanie në Tiranë.
Në dhjetor të vitit 2021, Klodian Zoto arratiset nga vendi, pasi doli urdhërarresti i lëshuar ndaj tij. Kompania ITS u vu nën sekuestro preventive dhe administrim shtetëror, duke e bërë të pamundur që këto asete të zhduken pa suportin, apo urdhrin e pronarit faktit të Inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj.
Për administrimin e këtyre aseteve, që SPAK mesa duket ka “harruar” t’i sekuestrojë, Taulant Balla tentoi të emëronte në krye të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, Ferdinand Tarazhin, ish drejtorin e landfillit të Sharrës. I kapur në flagrancë nga opozita, Balla u detyrua të ndryshonte këtë emërim kriminal, brenda ditës.”
Këlliçi u tregua i ashpër në qëndrimin e tij për Prokurorinë e Posaçme, duke thënë se deri më sot demokratët i kanë faktuar se ku paratë e inceneratorëve gjenden në Bullgari, Maltë, Turqi, Hollandë, Zvicër, Hungari dhe së fundmi në Shqipëri, por SPAK nuk ka reaguar.
Duke nënvizuar se SPAK po dështon të ndjekë paratë, Këlliçi kërkon nga kreu i institucionit të akuzës Altin Dumani që të sekuestrojë 7 apartamentet që ai ka zbuluar këtë të premte për llogari të hetimeve për djegësin e kryeqytetit.
“Këto para kanë shërbyer dhe vijojnë të shërbejnë për blerjen e zgjedhjeve, manipulimin e opinionit publik përmes kapjes së mediave. Drejtuesi i SPAK Altin Dumani, jo më vonë se dita e sotme duhet të sekuestrojë këto 7 apartamente dhe çdo apartament tjetër në kullat e Tiranës ku janë të fshehura paratë publike, dhe t’ia japë familjeve të cilat ende sot pothuaj 5 vite pas tërmetit të 2019, dergjen nëpër çadra, apo në dyert e Bashkisë Tiranë. Garantojmë qytetarët, se paratë që nuk i ndjek dot SPAK-u, do vijojmë t’i ndjekim ne. Dhe sërish për t’ia lehtësuar punën SPAK-ut, fill pas kësaj deklaratë, ky informacion do t’i përcillet zyrtarisht z. Dumani.” (A2 Televizion)