Pak pas orës 23:00, Albin Kurti ka mbërritur në selinë e Lëvizjes Vetëvendosjes, aty ku e prisnin me dhjetëra simpatizantë. Para tyre, Albin Kurti shpalli fitoren në zgjedhjet e së dielës, ndërsa theksoi se votat do të jenë të mjaftueshme që koalicioni në të cilin është pjesë Vetëvendosja të formojë qeverinë e re Kurti 3.
“Falenderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në këto zgjedhje të para të rregullta parlamentare. Nuk ka pasur incidente dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit. Falenderoj dhe policinë e Kosovës për mbarëvajtjen e këtij procesi. Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme. Ne jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë dhe të mbarë demokratike dhe progresiste.
Koalicioni ynë fitues do të formojë qeverinë e re Kurti 3 dhe ne do të vazhdojmë punët e nisura. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar suksesshëm rezistencën e tyre edhe kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër nesh. Janë shpenzuar para pa hesap, janë kërcënuar punëtorët dhe ka pasur pretendime nga më absurdet në këtë fushatë”, tha Albin Kurti.
Rezultatet e fundit nga KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, pavarësisht problemeve të mëdha teknike, ka publikuar të dhëna të reja në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të së dielës kur janë numëruar 73.04 përqind të votave.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 41.99 përqind të votave. E dyta renditet PDK-ja me 22.68 përqind të votave, LDK-ja me 17.90 përqind të votave, AAK 7,56 përqind të votave.
Megjithatë, këto të dhënat pritet të konfirmohen në vazhdim, duke qenë se pak më herët kreu i KQZ-së deklaroi në një konferencë të jashtëzakonshme se ka pasur probleme me aplikacionin dhe ishte marrë vendimi që numërimi i formularëve të bëhej manualisht. (A2 Televizion)