Kaos në Parlament, deputetët e opozitës bllokojnë foltoren me karrige

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2023, 09:48 | Politikë

Njëjtë si një javë më parë, edhe seanca e sotme parlamentare ka nisur me bllokimin e Kuvendit nga deputetët e opozitës.

Ligjvënësit e Partisë Demokratike kanë përdorur edhe njëherë karriget e tyre për të bllokuar foltoren e Kuvendit, duke ngritur një barrikadë përpara ulëseve të kabinetit qeveritar, që është rrethuar nga garda.

Para nisjes zyrtare të seancës, ish-kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur të flasë përmes një lidhje live në Facebook-un e tij personal, ku ka paralajmëruar se do të vazhdojë mosbindja civile.

Ai thekson se qëndresa opozitare lidhet me bllokimin e komisioneve parlamentare nga ana e mazhorancës. Berisha nënvizon se kryeministri Rama ndalon ngritjen e tyre, pasi do të jetë subjekti kryesor i hetimit për aferat korruptive, ku janë të përfshirë ministra dhe familjarë të tij.

“Këtu sot vazhdon mosbindja civile, rezistenca e parlamentarëve me të drejta kushtetuese të mohuara. Prej 18 muajsh me urdhër të Edi Ramës, ky parlament nuk lejon ngritjen e komisioneve parlamentare. Nuk mundet Edi Rama të pranojë këto komisione se do të zbulojnë së pari se familjarët e tij janë turrur pas tenderave dhe prokurimeve publike për t’u pasuruar në kurrizin tuaj. Nuk mund t’i pranojë pasi është tërësisht i inkriminuar. S’ka si të pranojë ai komisionin hetimor parlamentar për PPP-të dhe koncesionet publike. S’ka si të pranojë komisionin hetimor për portin e Durrësit që e mbylli për të përfituar 1.4 mln metër katrorë. Qëndresa jonë është pa kthim deri në vendosjen e të drejtave, që janë tonat dhe të tuajat qytetarë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos