Komisioni Europian synon që Shqipëria të hapë grupin e parë të kapitujve me BE-në brenda këtij viti. Duke folur në Komisionin e Jashtëm të PE-së, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi vlerësoi rezultatet e reformës në drejtësi.
Brukseli kërkon t’i japë Shqipërisë një dhuratë për 2024, hapjen e kapitullit të parë të negocimit. Të paktën ky është vullneti i Komisionit Europian.
Procesi i screening ka përfunduar dhe Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhely vlerësoi politikën ndërkombëtare të ndjekur nga qeveria shqiptare, duke dhënë rekomandimin për Këshillin Europian për këtë fundvit.
“Koordinimi i plotë për një politikë të njësuar ndërkombëtare sa i takon çështjeve të sigurisë, është një sinjal i fortë i bashkëpunimit strategjik në procesin e bisedimeve për anëtarësim. Objektimi jonë është që të hapim grup-çështjet e para me Shqipërinë në fund të këtij viti”, tha komisioneri.
Nota pozitive sa i takon zhvillimeve të brendshme në Shqipëri, Brukseli i kishte për drejtësinë. Krahas procesit të vettingut, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ishte istitucioni i cili u përmend specifikisht nga Varhely.
“Procesi po ecën pa probleme, dhe autoritetet po tregojnë një vendosmëri të lartë. Në Shqipëri implementimi i reformës në drejtësi vijon, dhe procesi i vettingut është në një nivel të kënaqshëm. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, ka mund të arrijë rezultate të tjera”, tha Varhely.
Nëse rekomandimet e Komisionit Europian marrin aprovimin e Këshillit në samitin e dhjetorit, kjo do të sillte tryezën e dytë ndërqeveritare dhe nisjen e negocimit të kapitujve që flasin për Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë, Kriteret Ekonomike, Administrata publike, Statistikat dhe Kontrolli Financiar. (A2 Televizion)