I ftuar në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN, ku u diskutua për marrëveshjen me Italinë për emigrantët e paligjshëm, ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, u shpreh se kjo dakordësi mund të sjellë pasoja me vizat për Shqipërinë.
“Çështja e vizave ka qenë shqetësim përherë, që ne duhet ta kemi politikën e vizave në linjë me atë të BE dhe jemi kritikuar kur nuk kemi ndjekur politikën ndaj vendeve të treta. Po të kemi flukse, të çajnë gardhin dhe të ikin në vende të tjera? Atëherë është problem. Nëse ne penalizohemi me vizat do të vuajmë pasojat.
Më tej, Bumçi hodhi dyshime se edhe ligji për shtetësinë, i kthyer nga Presidenti Begaj, mund të ketë lidhje me këtë marrëveshje.
“Në ligjin për shtetësinë, qeveria kaloi ndryshimet ligjore që e lehtësojnë marrjen e shtetësisë. A ka një lidhje mes këtyre të dyjave? Presidenti e kthye mbrapsht këtë ligj. Kanë kaluar me shumicë të thjeshtë një ligj që është me shumicë të cilësuar. Këtu qeveria merr kompetenca që nuk janë të sajat. Një ligj që kërkon tre të pestat e kalon me shumicë të thjeshtë. Pse e bën këtë gjë?”, ngre pyetjen Bumçi. (A2 Televizion)