PD: Marrëveshjen për emigrantët do e çojmë në Kushtetuese

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 16:18 | Politikë

PD: Marrëveshjen për emigrantët do e çojmë në

Partia Demokratike, e Lulzim Bashës, ka bërë me dije se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët e nënshkruar me Italinë, një ditë më parë. Në dokumentin e firmosur nga deputeti Kreshnik Çollaku, thuhet se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë me ligjet e Kushtetutën e vendit, nisur nga faktin që kjo marrëveshje ka një ndikim të gjerë social.

“Në emër të Partisë Demokratike, depozitova kërkesën për interpelancë urgjente me kryeministrin Rama për marrëveshjen e tij me kryeministren e Italisë, për vendosjen në Shqipëri të mbi 36 mijë emigrantëve nga Afrika e Veriut për çdo vit.

Bëjmë me dije se për të njëjtën çështje dhe objekt do t'i drejtohemi dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të vlerësuar përputhshmërinë me ligjet e Kushtetutën e vendit, të marrëveshjeve të tilla me një impakt kaq të gjerë social”, thuhet në njoftim.

Marrëveshja u firmos një ditë më parë nga kryeministrat, Edi Rama dhe Giorgia Meloni, ku thuhet se Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri, të cilat, kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë një "fluks vjetor prej 36 mijë personash”.

Në portin e Shëngjinit, Italia do të kujdeset për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit. Po aty autoritetet italiane do të krijojnë një qendër pritjeje dhe kontrolli të parë, ndërsa në Gjadër do të krijohet një strukturë model CPR për procedurat e mëpasshme.

 Këto struktura fillimisht do të mund të strehojnë deri në 3 mijë persona, që do të qëndrojnë aty gjatë kohës së nevojshme për të përfunduar procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil, të shkurtuar deri në 28 ditë nga ana e Italisë.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni