A2 CNN ka zbardhur vendimin e arsyetuar të GJKKO për caktimin e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës, “detyrim paraqitje” dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit. Në dokument, sqarohet një nga pikat kryesore që ka ndezur debat dhe që është kundërshtuar me forcë nga pala mbrojtëse, se përse nuk është marrë leje fillimisht nga Kuvendi për sa kohë që Berisha ka imunitetin e një deputetit.
Në vendimin e arsyetuar, GJKKO sqaron se masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit nuk përbëjnë një heqje të lirisë personale, ndryshe nga sa pretendon Berisha, prandaj thekson se nuk kanë pasur detyrimin për t’iu drejtuar organit të Kuvendit.
“Masa e sigurimit personal e detyrimit për t’u paraqitur në policinë Gjyqësore dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit të dhëna ndaj personit në hetim Sali Berisha, nuk përbëjnë heqje të lirisë personale, por një kufizim të lirisë për të dalë jashtë shtetit. Këto kufizime të lirisë për të lëvizur jashtë shtetit dhe për t’u paraqitur në policisë gjyqësore, së pari janë kufizime tejet propocionale në lidhje me nevojat e procedimit penal, kjo për arsye se edhe “ndjekja penale” është një koncept kushtetues që përbën një atribut të prokurorisë dhe si i tillë kërkon të baraspeshohet me ushtrimin e të drejtave dhe lirive personale të personit nën hetim.
Së dyti, e drejta për të lëvizur jashtë shtetit dhe lëvizja e lirë e personit nën hetim nuk përbën heqje të lirisë personale dhe për rrjedhojë nuk i nënshtrohen detyrimit nga organi procedues për të kërkuar autorizimin paraprak nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
Së treti, dallimi i lirisë personale dhe i asaj për të dalë jashtë shtetit është i përcaktuar edhe nga praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Në dokument, specifikohet edhe sjellja e avokatëve, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, të cilët u larguan nga salla, “po priren drejt abuzimit të mbrojtjes”, për këtë arsye ish-kryeministrit iu caktua një avokat nga shteti.
Kujtojmë se ndaj Berishës është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje”, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, si dhe “Ndalimin për të dalë jashtë vendit” lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është në burg. Berisha ka refuzuar të paraqitet duke thënë se nuk kishte asnjë njoftim për vendimin e Gjykatës e ndërsa thekson se procesi është anti-kushtetues. (A2 Televizion)