Avokatët e Berishës kërkesë në GJKKO: Masa e sigurisë ka rënë, skaduan afatet

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 17:55 | Politikë

Gati 24 orë pasi ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit në SPAK, siç e urdhëronte Gjykata e Posaçme, avokatët e tij pretendojnë se masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” ka rënë. Paraditen e së martës avokatët Genci Gjokutaj e Sokol Mëngjesi depozituan në Gjykatën e Posaçme një kërkesë ku kërkonin konstatimin e këtij fakti. 

“I kemi kërkuar GJKKO konstatimin e humbjes së fuqisë së masave shtrënguese “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K. Pr. P., caktuar ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës, Prof. Dr. Sali Berisha, bazuar në nenet 248 pika 2 dhe 249 pika 7 e K. Pr. P.”.

Kërkesa e avokatëve argumentohej sipas tyre, me skadimin e afateve ligjore të zbardhjes së vendimit, dhe faktin se kalimi i afatit të zbardhjes çonte në moszbatimin e tij. 

“Deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese kanë kaluar 12 ditë dhe ende nuk e kemi një vendim të arsyetuar të depozituar nga ana e Gjykatës. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit procedurial penal, i cili në nenin 248, pika 2, fjalia e fundit, përcakton se “Gjykata depoziton vendimin e arsyetuar brenda 48 orëve”. Mosekzistenca e një vendimi të zbardhur dhe të arsyetuar ka sjellë si pasojë moszbatimin e këtij vendimi brenda afatit të caktuar në ligj”.

Referuar Kodit të Procedurës Penale, avokatët Gjokutaj e Mëngjesi argumentojnë se kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohen brenda afatit të caktuar, masa shtrënguese e humbet fuqinë. 

Në këtë linjë arsyetimi, avokatët nënvizonin në kërkesë se vendimi duhet të arsyetohej brenda 48 orëve. Ankimi nga avokatët do të duhej të paraqitej brenda 5 ditëve. Brenda 3 ditëve nga realizimi i njoftimeve do të duhej që dosja të dorëzohej në Apel dhe përfundimisht ai duhet të shprehje brenda një afati 10 ditor. 

Mosmarrja dijeni për vendimin u pohua nga Berisha të hënën, kur deklaroi se ishte vënë në dijeni për të vetëm nga mediat. Nga ana tjetër, burime të A2 CNN pranë SPAK, konfirmuan se vendimi i gjykatës për caktimin e masës “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” është ekzekutuar, duke iu njoftuar ish-kryeministrit nga Policia Gjyqësore në banesën e tij dhe në Parlament.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos