Kosova votoi, Berisha: Nderoi lirinë e votës

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2025, 21:40 | Politikë

Kosova votoi, Berisha: Nderoi lirinë e votës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur procesin zgjedhor që u zhvillua ditën e dielë në Kosovë, duke dhënë se administrimi i procesit dhe dalja e rezultatit ishin një model frymëzimi.

Teksa uroi Vetëvendosjen për fitoren, Berisha uroi qytetarët dhe organizatorët e zgjedhjeve që sipas tij nderuan lirinë e votës dhe demokracinë.

“Të dashur miq, qytetarët e Kosovës votuan dje në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare për përfaqësuesit e tyre. Votimi, administrimi i procesit dhe dalja e rezultatit ishin një model frymëzimi.

Në zgjedhjet e djeshme, Partia e Vetëvendosjes mori 41% të votave, Partia Demokratike e Kosovës mori 22,16% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës mori 17,60% të votave. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët mori 7,46%, Lista Serbe 4,43% dhe Koalicioni për Familjen 2,26%.

Me këtë rast uroj përzemërsisht qytetarët, forcat politike, drejtuesit dhe të zgjedhurit e Kosovës, si dhe administruesit e këtij procesi dinjitoz, që nderon lirinë e votës dhe demokracinë. Gjithashtu, uroj fituesin e këtyre zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosja”, shkruan Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos