Në sirtarët e Kuvendit qëndrojnë të zbatuara prej më shumë se një viti dy vendime të trupës kushtetuese. Në të dy rastet, janë shkelur afatet për zbatimin e tyre. I pari është ai për legjitimitetin e mandatit të Olta Xhaçkës, ku Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që këtë çështje t’ia dërgojë zyrtarisht për shqyrtim trupës prej 9 anëtarësh, ndërsa tjetri për votën e diasporës.
Kjo qasje e Kuvendit të Shqipërisë konsiderohet e paimagjinueshme nga ana e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, e cila përpara kamerave theksoi detyrimin Kushtetues për zbatimin e vendimeve të gjykatës që bën interpretimin përfundimtar të ligjit themeltar të shtetit.
“Zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është i paimagjinueshme në një shtet ligjor. Nuk ka ekuivokë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Vetë Gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizma për të detyruar Kuvendin për zbatimin e tyre, pasi ato kanë fuqinë e ligjit.
“Vetë kushtetuta, por edhe ligji organik, nuk i ka dhënë Gjykatës kontrolle të zbatimit të vendimeve, sepse në një shtet ligjor është postulat që vendimet e GJK janë të zbatueshme”.
Edhe mundësimi i votës së diasporës është ende jo efektiv pasi Kuvendi nuk ka miratuar kornizën ligjore në Kodin Zgjedhor. Pyetur nëse vota e diasporës mund të rrezikojë legjitimitetin e procesit të ardhshëm zgjedhor, mes rreshtave Zaçaj la të kuptohej se pranë gjykatës mund të depozitohet një padi e tillë.
“Ne nuk komentojmë mbi situata hipotetike që mund të jenë edhe pjesë e vendimmarrjes, e një shqyrtimi gjyqësor të mëparshëm”.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese është politizuar edhe për shkak të një nisme të qeverisë për t’i rritur rrogat trupës kushtetuese.
Sipas Holta Zaçajt, propozimi i qeverisë është bërë pa u konsultuar me ta, dhe se kërkesën për rritje pagash gjykata ia kishte drejtuar Kuvendit duke e argumentuar se si trupë kushtetuese, duhet të qëndroje në krye të piramidës së rrogave të sistemit të drejtësisë.
“Projektligji nuk është rakorduar me GJK, janë shifra që i ka nxjerr qeveria referuar kush është gjyqtari më i paguar. Di të them që rroga e gjyqtarit kushtetuese është rreth 390 mijë lekë të reja bruto dhe rreth 290 mijë lekë neto dhe është afërsisht sa paga e gjyqtarit të shkallës së parë”.
Përsa i përket akuzave publike ndaj Gjykatës, Zaçaj u shpreh se vendimet e Gjykatës bazohen në ligj, e jo në popullaritetin e tyre (A2 Televizion)