“Një kulturë e re politike”, Basha: Shqiptarët duan ndryshim, unë jam alternativa

Nga Fjorela Beleshi
4 Shkurt 2024, 17:50 | Politikë

Ka kaluar 10 vite në pushtet dhe 9 në opozitë, e megjithatë Lulzim Basha e prezanton veten si alternativën e re që do t’u rikthejë shpresën qytetarëve në vend.

Kreu i PD zyrtare ka nisur riorganizimin e degëve dhe nga Patosi deklaroi se si me grupin e tij programor do të ngjallin besimin e domosdoshëm për të mundur socialistët, të cilët vitin që vjen do kërkojnë mandatin e katërt qeverisës: “Vijmë para shqiptarëve me një kulturë të re politike. Ka dritë shprese për shqiptarët që duan ndryshim”.

Por, për të mundur Edi Ramën, fillimisht Basha ka nevojë që në Parlament të gjejë dakordësinë me mazhorancën për të ndryshuar sistemin zgjedhor: “Shqipëria një zonë elektorale, votimi e numërimi elektronik dhe vota për diasporën”.

Ndërsa 2-vjeçarin e luftës brenda demokratëve dhe tërheqjes së tij nga daljet publike, Lulzim Basha e sheh si një periudhë të zezë të së djathtës në Shqipëri. Një pikë të përbashkët gjen për Ramën dhe Berishën: lufta ndaj SPAK. Ai vetë garanton demokratët që me të në krye, mbështetja ndaj Prokorurisë së Posaçme do të jetë e pakushtëzuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos