Ndërkombëtarët për krizën, BE: Përgjegjësi e aktorëve politik! OSBE vetofrohet për ndërmjetësim mes palëve

Nga Ervin Koçi
4 Shkurt 2024, 10:17 | Politikë

Prezenca e OSBE-ODIHR ofrohet që ndërmjetësoj një zgjidhje politike për krizën e krijuar brenda Kuvendit. Në një reagim për emisionin “Skedari Politike” në A2 CNN, OSBE shprehet se është e gatshme të ndihmojë lehtësimin politik drejt arritjes së një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse. Një qasje tjetër duket se ka delegacioni i BE, i cili kërkon që aktorët vendas të gjejnë një zgjidhje gjithëpërfshirëse të ngërçit politik.

Kriza që ka përfshirë Kuvendin e Shqipërisë duket se ka ndarë edhe ndërkombëtarët në qëndrimet e tyre. Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Bashkimi Europian kanë dy qasje të ndryshme mbi rolin e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e kësaj krize. Në një reagim për emisionin “Skedari Politik” në A2 CNN, delegacioni i Bashkimit Europian vë theksin se kjo krizë është e brendshme dhe si e tillë nxit palët që ta tejkalojnë atë.

“Për BE-në, institucionet funksionale demokratike janë një aspekt thelbësor i procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Kjo është përgjegjësi e gjithë institucioneve edhe gjithë aktorëve politikë. Procedurat parlamentare duhet të ecin përpara papengesa dhe nismat ligjore duhen diskutuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të plotë, duke u mundësuar të gjitha palëve të spektrit politik që të angazhohen në thelb me çështjet, përmes dialogut të mirëfilltë politik.”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OSBE.

OSBE nga ana e saj duket të jetë organizata e parë ndërkombëtare e cila hedh një hap përpara, duke u vetëofruar që të ulë palët politike në një tavolinë e kjo në shërbim të hartimit dhe miratimit të reformës zgjedhore.

“Prezenca e OSBE-së është e gatshme të ndihmojë lehtësimin politik apo zgjidhjet teknike, nëse i kërkohet. Ne vetëm mund të vijojmë të nxitim të gjitha palët që t’u japin përparësi interesave të Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj, duke punuar së bashku për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që është në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe që adreson rekomandimet e pa përmbushura të OSBE/ODIHR-it. Qëllimi është të reflektohet angazhimi afatgjatë i Shqipërisë ndaj vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”, vijon më tej reagimi i OSBE-së.

Kriza parlamentare pritet të reflektohet sërish në seancën plenare të kësaj  të hëne ku rithemelimi po përgatitet për protestë jashtë dyerve të parlamentit, ndërsa grupi parlamentar me mosbindjen civile brenda sallës plenare.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli