Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi reagoi për mediat pasi Gjykata vendosi të lërë me masën detyrim paraqitje 4 të rinjtë e ndaluar në protestën e opozitës, më 20 shkurt, përpara kryeministrisë.
Bardhi u shpreh se ka bërë një ankesë në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policiore dhe kallëzim, pasi protestuesit janë dhunuar brutalisht gjatë shoqërimit në komisariat dhe brenda tij, teksa shton se dhunuesit janë identifikuar dhe do të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre.
“Paralajmëroj se dhuna ndaj jashtë asaj që lejon ligji është akt personal dhe ka pasoja personale. Çdo punonjës policie duhet të respektojë ligjin, të drejtat e njeriut dhe nuk mund të ushtrojë dot dhunë nën autoritetin e uniformës. Të gjithë janë identifikuar dhe do të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre. Përshëndes gjykatën për vendimin, askush nuk ka shkelur ligjin. Kishin dalë për të protestuar dhe nuk kishte arsye pse të merreshin peng për 3 ditë. Por kur policia drejtohet nga shërbëtore të krimit mund të presësh gjithçka. Dhuna është ushtruar gjatë shoqërimit dhe në komisariat. Janë 3 punonjës policie përgjegjës për këto akte. Dy protestues kanë shenja në fytyrë, të tjerët kanë fraktura në trup për shkak të dhunës me urdhër politik. Kemi bërë një ankesë në AMP dhe kallëzim penal”, tha Bardhi. (A2 Televizion)