Kalon marrëveshja për emigrantët, PS tërheq amnistinë: Votat janë në sallë, por duam konsensus

Nga Ervin Koçi
22 Shkurt 2024, 15:08 | Politikë

Të burgosurit që prisnin këtë të enjte lirimin nga qelia si përfitues të Amnistisë Penale do të duhet të presin sërish për shkak se Parlamenti nuk arriti të gjente konsensusin për miratimin e aktit. Grupi parlamentar i PS-së i kërkoi Lindita Nikollës të tërhiqte nismën nga rendi i ditës për arsyen e thjeshtë, në sallë nuk i kishte bashkë 84 vota, ndërsa homologët demokratë kishin nisur bllokimin e seancës.

Lindita Nikolla vijoi me rutinën e miratimit të menjëhershëm të akteve duke kaluar në proces votimit. Me tërheqjen e amnistisë, krye çështja e rendit të ditës ishte marrëveshja për emigrantët me Italinë, nismë e cila i shtoi tre vota çame grupit parlamentar të PS-së.

Kaosin e krijuar brenda parlamentit, deputetët nuk e reflektuan jashtë sallës, ku të gjithë qëndruan në radhë për të folur përpara kamerave. Socialistët nga ana e tyre ngulën këmbë që i kanë gjetur votat për amnistinë por duan një konsensus politik për miratimin e aktit, konsensus të cilin Gazment Bardhi e quajti Pazar të dështuar.

Por pazar Gazment Bardhi nuk e konsideroi bashkimin e votave të PDIU-së me Partinë Socialiste në miratimin e marrëveshjes për emigrantët, qëndrim ky që erdhi pas një bisede kokë me kokë me Shpëtim Idrizin në oborrin e parlamentit.

Pjesa tjetër e opozitës, ajo e kryesuar nga Lulzim Basha mbajti të pandryshuar qëndrimin për bojkot të seancës parlamentare duke mos u paraqitur në seancë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos