LIVE: Mbyllet protesta e opozitës. Noka: Hapi i parë i mosbindjes civile

Nga A2 CNN
7 Tetor 2024, 18:11 | Politikë

Protesta e opozitës minutë pas minute

Ora 21:25 - Noka mbyll protestën: Hapi i parë i mosbindjes civile

Flamur Noka, nënkryetari i PD-së, ishte në krye të protestës së kësaj të hëne, u shpreh se sot ishte dita e para që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës.

Noka tha se qeveria po dridhet, ndërsa theksoi se mosbindja civile do të vazhdojë deri në vendosjen e qeverisë teknike, shkruan A2.

“Sot ishte dita e para që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës. Regjimi narkos i tërbuar, sot mori një mesazh: Jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë qetësi. Qytetarët sot i dhanë leksion Ramës.

Narkosi duhet t’i hapë rrugë një qeverie teknike. Ata janë duke u dridhur, të tërbuar pasi forca e qytetarëve iu ka kallur datën”, tha Noka. 

Ora 20:45 - Protestuesit sulmojnë ambulancën

Një situatë e pazakontë ka ndodhur teksa një ambulancë me sirenën e ndezur është ndaluar nga një grup protestuesish, të cilët i kanë hapur derën dhe më pas ambulanca është larguar. 

Ora 20:40 - Burime për A2 CNN: 3 qytetarë në spital

Tre qytetarë janë lënduar gjatë protestës së opozitës, që po zhvillohet në kryeqytet. Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN, dy persona të plagosur janë dërguar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa një person i tretë është dërguar te Sanatoriumi, pasi ka shfaqur probleme me frymëmarrjen nga gazi lotsjellës.

Ndërkohë, A2 CNN mëson se një efektiv i policisë është dërguar te Spitali i Traumës, por është jashtë rrezikut për jetën. 

Ora 20:25 - Policia e Shtetit: 10 efektivë të dëmtuar

Policia e Shtetit njoftoi se nga protesta e opozitës dhe lëndët plasëse të hedhura në disa pika të kryeqytetit janë dëmtuar 10 efektivë.

“Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse. Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta  ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie”, thuhet në një njoftim, shkruan A2 CNN.

“Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore. Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore”.

Ora 20:00 - Ekspertët e kriminalistikës mbledhin provat e “zjarrit”

Ekspertët e kriminalistikës kanë nisur veprimet për dokumentimin dhe mbledhjen e provave pas lëndëve plasëse që u hodhën drejt Kryeministrisë.

Ora 20:00 - Molotov te Bashkia, marrin flakë polici dhe qytetari

Pas Kryeministrisë, Selisë së Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Brendshme, të gjithë protestuesit mbërritën te Bashkia e Tiranës, ku menjëherë u përballën me kordonin e forcave të policisë, i cili ka rrethuar godinën.

Protestuesit hodhën molotov dhe një prej tyre shpërtheu në mes të forcave të policisë, ku disa efektivë u përfshinë nga flakët. Menjëherë vepruan me fikëse zjarri policët e tjerë, shkruan A2.

Situata te Bashkia e Tiranës vijon te jetë e tensionuar, ndërsa është hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Ora 19:45 - Zjarr te Ministria e Brendshme, shpëtojnë për pak policët

Marshimi i opozitës ka vijuar te Ministria e Brendshme, ku edhe aty janë hedhur lëndë plasëse dhe molotov, disa prej tyre fare pranë efektivëve të policisë, të cilët kanë shpëtuar pa u djegur dhe më pas janë larguar.

Ora 19:34 - I vihet zjarri selisë së Partisë Socialiste 

Pasi u hodhën shashka në drejtim të godinës së Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën te selia e Partisë Socialiste.

Menjëherë nisi e njëjta situatë duke hedhur molotov në drejtim të godinës së Partisë Socialiste. Si pasojë e shpërthimit, menjëherë nisi zjarri në godinën e PS-së, e cila në hyrje kishte imazhin e kreut të saj, Edi Rama, i cili mori flakë, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë, forcat e policisë kanë rrethuar godinën e selisë duke mos i lejuar protestuesit që të mos afrohen në godinë.

Ora 19:30 - Zbrazet bulevardi, protestuesit drejt selisë së PS. Policia e blindon

Kur ka kaluar një orë e gjysmë nga nisja e protestës dhe pas incidenteve të dhunshme para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë marshuar në Tiranë, duke bllokuar qarkullimin në disa akse rrugore rreth qendrës. Tashmë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është boshatisur, ndërsa protestuesit po shkojnë para godinës së Partisë Socialiste. Gjatë rrugës janë djegur edhe kosha plehrash.

LIVE: Mbyllet protesta e opozitës. Noka: Hapi i parë i mosbindjes

Ora 19:20 - Digjet stacioni i autobusëve në bulevard

LIVE: Mbyllet protesta e opozitës. Noka: Hapi i parë i mosbindjes

19:00 - Përplasje mes protestuesve dhe policisë

Është tensionuar situata para Kryeministrisë, pasi protestuesit janë konfrontuar me policinë si dhe kanë hedhur molotov dhe lëndë plasëse në drejtim të godinës. 

Godina e kryeministrisë është rrethuar nga flakët për shkak të sasisë së madhe të bombave molotov që protestuesit kanë hedhur në drejtim të saj. Nga flakët janë përfshirë dhe disa nga pemët përreth godinës, që më pas janë fikur me shpejtësi nga forcat e policisë.

Dhuna është përshkallëzuar në protestë, ku pjesëmarrësit kanë tentuar të çajnë rrethimin e policisë dhe kanë hedhur shashka në drejtim të tyre.

Ora: 18:52 - Ilir Meta i bashkohet protestës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe përfaqësues të kësaj force opozitare, i janë bashkuar protestës së thirrur nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.

Ora 18:35 - Bllokohet qarkullimi në bulevard

Ka nisur protesta e opozitës, e cila këtë të hënë është pa një skenar të qartë dhe pa fjalime nga drejtuesit politikë të Partisë Demokratike apo të partive të tjera opozitare. Protestuesit u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa kanë bllokuar fillimisht rrugën te Bashkia e Tiranës, shkruan A2 CNN. Mësohet se në momentet e para ka pasur edhe tension mes protestuesve dhe qytetarëve që kanë qenë duke lëvizur me automjete, por më pas gjithçka është qetësuar.

Ora 18:30 - Banderolat e protestës

LIVE: Mbyllet protesta e opozitës. Noka: Hapi i parë i mosbindjes

LIVE: Mbyllet protesta e opozitës. Noka: Hapi i parë i mosbindjes

LIVE: Mbyllet protesta e opozitës. Noka: Hapi i parë i mosbindjes

“Make Albania Free Again”, “Je gjallë, apo vetëm merr frymë”, janë disa nga parullat dhe banderolat e përdorura nga protestuesit e opozitës për protestën e kësaj të hëne. Protestuesit janë shpërndëarë në disa zona në kryeqytet, para Kryeministrisë, në Sheshin Skënderbej dhe zona të tjera, ku është paralajmëruar se do të bllokohet qarkullimi i makinave.

Ora 18:20 - Digjet goma para Presidencës

LIVE: Mbyllet protesta e opozitës. Noka: Hapi i parë i mosbindjes

Ora 18:15 - Disa qindra qytetarë janë mbledhur edhe në Sheshin Skënderbej, ndërsa forca të shumta policia kanë rrethuar godinën e Bashkisë së Tiranës, e cila ka qenë në shënjestër të disa protestave të opozitës përgjatë muajve të fundit.

Ora 18:00 - Në selinë e Partisë Demokratike janë mbledhur me qindra qytetarë, të cilët do të marrin pjesë këtë të hënë në protestën e thirrur nga opozita. Me thirrjet: Berisha, Berisha, fitore, fitore, protestuesit janë nisur nga selia e Partisë Demokratike drejt sheshit “Skënderbej” nga ku do të nisë zyrtarisht protesta.

Është bërë e ditur se në këtë protestë nuk do të ketë fjalime, por dyshohet se protestuesit do të bllokojnë disa akse rrugore. Ndërkohë, efektivët e policisë janë vendosur në zona të ndryshme të Tiranës, nga Kryeministria te Bashkia e Tiranës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos