Gjykata e Lartë ka hapur procedurat për aplikime për të zëvendësuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Sipas Gjykatës së Lartë, ndryshe nga sa pretendon zonja Zaçaj, mandati i saj përfundon në mars të vitit 2025.
Në njoftimin e Gjykatës së Lartë thuhet edhe se zonja Zaçaj është informuar para se ta aplikonte për të zëvendësuar Vitore Tushën në Gjykatën Kushtetuese, për këtë afat.
Një ditë më parë, Zaçaj njoftoi se ka vendosur t’i drejtohet Komisionit të Venecias, pasi i nevojitet një mendim ekspertësh për të ditur se kur i përfundon mandati.
“Dëshiroj të garantoj opinion publik se, në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të ushtroj përgjegjësitë e mia për të vënë në lëvizje Gjykatën në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, ashtu si edhe kërkesa për amicus curiae, do të bëhet publik. Gjej rastin të sjell në vëmendje dhe të kërkoj nga çdo organ tjetër që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve, njofti Zaçaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese shpjegon se vlerëson se mandati i përfundon jo tani por pas 12 muajsh. Për të shuar këtë dilemë dhe për t’i paraprirë situatave të ngjashme në të ardhmen, thotë se ka kërkuar opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë.
“Gjykata e Lartë në vendimin e saj ka deklaruar zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025. Duke qenë se nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025”, tha ajo.
Gjykata Kushtetuese është futur në procedurën e ripërtëritjes së saj, ku krahas vakancës së krijuar me dorëheqjen e Elsa Toskës, Kuvendi dhe Presidenca kanë nisur procedurën për zëvendësimin e dy anëtarëve të tjerë. (A2 Televizion)