“Të hidhemi në sulm, sot dhe deri më datën 11 të firmosim së bashku fitoren që meritojmë.”
Kjo ishte porosia e Sali Berishës për anëtarët e Këshillit Kombëtar. Në mbledhjen e parë të këtij forumi pas revokimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, lideri demokrat kërkoi angazhim prej të gjithëve për protestën e 23 Dhjetorit.
“Më datën 23 dhjetor, ditën e hënë, në ora 17.00, kemi mosbindjen civile më të fuqishme që ka parë Tirana ndonjëherë. Kjo mosbindje, Tiranën nga Qafë-Priska gjer në Vorë duhet ta bllokojë plotësisht, totalisht nga të gjitha drejtimet”, tha Berisha.
Njësoj siç u ka kërkuar edhe forumeve të tjera, në mbledhjet e zhvilluara gjatë kësaj jave, Berisha kërkoi edhe nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të takohen me sa më shumë qytetarë: “Ne kësaj diktature duhet t’i përgjigjemi me frontin më të gjerë që mund të krijojmë dhe që duhet të krijojmë. Kësaj diktature që disponon fonde të pafundme, disponon media të pafundme, ne duhet t’i kundërvihemi me takimin me qytetarin”.
Berisha kërkoi që çdo zyrtar i Partisë Demokratike ta marrë si leksion fushatën e Donald Trump në SHBA, për të qenë sa më afër qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë: “Ky me qytetarin, këta me qytetarët. Dhe fituan”. (A2 Televizion)