Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka prezantuar shkurtimisht ditën e sotme programin e saj politik për zgjedhjet e vitit 2025.
Disa nga pikat kyçe të programit, të lexuara nga z. Ekrem Spahiu, janë rritja e pensioneve dhe e pagave si dhe reformimi i arsimit.
Ndërkohë Shehi gjatë fjalës së tij tha se ishte 2 herë optimist për një rezultat të kënaqshëm të LZHK në zgjedhje, duke marrë parasysh sipas tij, korrupsionin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Pjesë nga deklarata e LZHK:
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, do të shkojë në zgjedhje me synimin që të jetë forca që të përfaqësojë denjësisht shqiptarët:
• Ne synojmë ndryshimin dhe jo vetëm rrotacionin.
• Ne kërkojmë të ndryshojmë mendësinë e të drejtuarit dhe të bërit politikë.
• Ne prezantojmë një program me objektiva të realizueshëm për një Shqipëri normale.
• Ne nuk ikim nga fusha e betejës por synojmë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka programin e plotë elektoral, por sot po bëjmë me dije për shqiptarët 9 shtyllat kryesore:
1. Çeshtja kombëtare është në ADN e programit tonë.
2 Vendosja e rendit dhe sigurisë nëpërmjet krijimit të Xhandarmërisë Kombëtare.
3. Dëmshpërblimi i plotë i ish-të burgosurëve dhe të përndjekurve politik.
4. Kompensimi i plotë i pronarëve legjitim.
5. Pensioni minimal 300 mijë lekë.
6. Rritja me 25 % e pagave në të gjithë sektorët ekonomik.
7. Zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë dhe industrisë përmes politikave të duhura.
8. Mbështetja e drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë.
9. Reformim i sistemit arsimor dhe politika në mbështetje të rinisë. (A2 Televizion)