Gjysma e Shkodrës pa energji, PD: OSSHE e përqendruar në vjedhje. Dikush të mbajë përgjegjësi. Reagon Benet Beci

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2024, 17:44 | Politikë

Gjysma e Shkodrës pa energji, PD: OSSHE e përqendruar në vjedhje.

Gjysma e Bashkisë Shkodër ndodhet sot në errësirë të plotë, pa energji elektrike, pas zjarrit që dogji nënstacionin elektrik të Draçinit dhe 4 transformatorë në lagje të ndryshme. Në lidhje me këtë ka reaguar edhe anëtarja e kryesisë së PD-së së qytetit verior, Izmira Ulqinaku. Në një deklaratë për mediat ajo akuzon OSHEE-në e Shkodrës, pasi nuk ka kontrolluar dhe zëvendësuar pjesët e amortizuara të nënstacioneve.

“Mijëra qytetarë, pleq, fëmijë, të sëmurë, në këto ditë të ftohta dimri, janë në vështirësi duke mos patur vëmendjen e Instancave shtetërore. Sot që në orën 11:30 nënstacioni i Draçinit dhe 4 kabina elektrike në disa lagje të qytetit janë përfshirë nga zjarret. Ky dëm madhor ekonomik e psikologjik për familjet shkodrane, vjen si pasojë e vjedhjeve dhe keqmenaxhimit nga Qeveria e Edi Ramës. OSHEE Shkodër përgjatë viteve të fundit ka patur në vëmendje punësimin e sa më shumë patronazhistëve, të cilët nuk janë profesionistë, madje nuk paraqiten asnjë ditë në punë. Mungesa e theksuar e stafit të kualifikuar ka lënë mangësi në kontrollet periodike të kabinave dhe nënstacioneve. Përherë Drejtoria e OSHEE ka shpërndarë urdhër për kontrolle vjetore të nënstacioneve duke i pastruar dhe zëvendësuar pjesët e amortizuara. Kjo gjë nuk ka ndodhur, prandaj sot kane shpërthyer flakët nga 4 anët e Shkodrës”.

Sipas demokrates Izmira Ulqinaku, vitet e fundit drejtoria e OSSHE është përqendruar në vjedhje tenderash, shkarkime nga detyra të profesionisteve dhe punësime partiake. Ajo bën thirrje për riparimin e shpejtë të dëmit dhe kërkon mbajtjen e përgjegjësive për këtë situatë.

“Vitet e fundit kjo drejtori është përqendruar në vjedhje tenderash, shkarkime nga detyra të profesionisteve dhe punësime partiake. I bëj thirrje Drejtorit të OSHEE Shkodër, të kërkojë ndihmë në drejtoritë e tjera rajonale, për të asistuar në riparimin e menjëhershëm dëmit. Qytetarët të cilët e paguajnë më shtrenjtë se të gjitha vendet e rajonit energjinë elektrike, kërkojnë zgjidhje. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi, dhe këto janë eprorët e etur për pushtet e para”.

Pas kësaj ka reaguar kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, i cili thotë se dëmi është riparuar dhe qyteti i Shkodrës furnizohet normalisht me energji elektrike.

“Pas avarisë së krijuar nga zjarri në nënstacionin e Draçinit, punonjësit e OSHEE-së kanë bërë të mundur riparimin e dëmit dhe rikthimin e energjisë për banorët. Tashmë qyteti i Shkodrës furnizohet normalisht me energji elektrike, pavarësisht dëmit të shkaktuar nga situata e zjarrit në nënstacion dhe disa kabina elektrike në lagjet e qytetit. Dua t’i falëndëroj punonjësit e OSHEE për angazhimin dhe gatishmërinë e treguar për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate të krijuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos