“Më goditi kolegu im”, Kreshnik Çollaku reagon pas sherrit me Dashnor Sulën

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2023, 11:25 | Politikë
“Më goditi kolegu im”, Kreshnik Çollaku reagon pas
Nënkryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku

Nënkryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, i cili u përfshi në një debat dhe përplasje të ashpër me kolegun e tij, Dashnor Sula, e konsideron si një incident të turpshëm. Në një komunikim për mediat, ai u shpreh se sot “ra padashje viktimë e një përplasje në Kuvend”.

Çollaku ngriti aludime se ka një aleancë që opozita të heshtë, ashtu siç ndodhi me rezolutën për Kosovën. Ai i dërgoi një mesazh atyre që sipas tij kanë humbur arsyen, apo edhe atyre në pushtet se nëse kjo është një formë për t’i mbyllur gojën, i kanë bërë llogaritë gabim.

“Jam i detyruar të dal publikisht dhe të sqaroj opinionin publik dhe qindra mesazhet e shqetësuara që po marr nga votues të mi, lidhur me incidentin e turpshëm që ndodhi në Kuvend. Në një sulm të pakuptueshëm verbal, që pastaj përfundoi me goditje fizike, deri dje mendoja se ishim në kauza të përbashkëta, realizoi një skenë që turpëron për çdo deputet. Unë e kuptoj se çfarë po ndodh. Ka një vullnet për të heshtur opozitën. Ka një aleancë për të heshtur, ashtu siç bënë më rezolutën e Kosovës. Nuk është shqetësimi im politik, por njerëzor. Si mund të degradojë jeta parlamentare deri në këtë pikë. Unë dhe kushdo si unë duhet të ndihet i fyer nga kjo skenë, viktimës e të cilës padashur përfundova unë. Dua t'i them të gjithëve, qoftë atyre që humbasin arsyen, qoftë atyre në pushtet që fërkojnë duart kur opozitës në parlament i mbyllet goja në këto forma, i them se i kanë bërë llogaritë gabim”, tha ndër të tjera Çollaku.

A2 CNN Livestream

A2 Business