Meta flet për progres-raportin e KE: Tregon gjendjen kritike të kapjes së shtetit, nismat e opozitës të bllokuara në Kuvend

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2023, 14:23 | Politikë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në një konferencë për mediat, ku flet për progres-raportin e fundit të Këshillit të Evropës për Shqipërinë. Meta thotë se ky konstatim i KE, tregon gjendjen kritik të kapjes së shtetit. Ai shton po shprehet se nismat e opozitës po mbahen të bllokuara në parlament, përfshirë edhe ato të Partisë së Lirisë.

Kreu i PL, shton se qeveria nuk është fare e impenjuar për procesin e integrimit të  vendit në BE, por i intereson vetëm pushteti i saj.

"Progres Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2023, tregon një përkeqësim të vazhdueshëm në të gjitha fushat kryesore të funksionimit të demokracisë dhe shtetit. Progres Raporti evidenton krizën dhe mosfunksionimin e Parlamentit.

Në vlerësimin e arritjes së kritereve politike, Komisioni Evropian në Progres Raportin 2023 për Shqipërinë konstaton, që “mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit ka mbetur e kufizuar”.

Komisioni Evropian, shpreh kritika për refuzimin e komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita, për refuzimin e Kryeministrit për të marrë pjesë në interpelanca, për përjashtimin e deputetëve të opozitës nga Kuvendi, dhe bllokimin e komisionit për Reformën Zgjedhore.

“Pavarësisht krijimit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, nuk u arrit asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”

KE e karakterizon situatën politike në Shqipëri “të shënjuar nga polarizimi politik” dhe kjo gjë vërehet më së miri në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, ku bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv mes opozitës dhe qeverisë është bërë praktikisht i pamundur sepse qeveria refuzon.

Ky konstatim i Komisionit Evropian për punimet dhe efektivitetin e Kuvendit të Shqipërisë, tregon gjendjen shumë kritike të kapjes së shtetit.

Partia e Lirisë përmes deputetëve të saj, ka depozituar në Kuvend projektligjin, që do të mundësonte gjithëpërshirjen e të gjitha partive parlamentare në Këshillin e Integrimit Evropian, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për një klime politike bashkëpunimi që do të çonte përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por që prej 1 viti e gjysmë ky projektligj nuk shqyrtohet nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në kundërshtim të plotë edhe me vete ligjin për Këshillin e Integrimit Evropian, mazhoranca qeverisëse e ndihmuar nga një Kuvend i kapur prej saj, i keqpërdor institucionet shumë të rëndësishme që duhet të punojnë për të promovuar dhe çuar përpara integrimin Evropian.

Ne shohim gjithashtu me shqetësim konstatimin e Progres Raportit të KE, ku prej qeverisë shqiptare kërkohet që “Ajo duhet të angazhohet në një komunikim më të fuqishëm publik për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,”.

Ky konstatim e bën me faj qeverinë shqiptare, e cila nuk shihet si një qeverisje që nuk ka angazhimin e duhur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, qoftë edhe me informimin publik. Ne këtë mënyrë ajo tregon qartazi se ky është një proces fare periferik dhe jo prioritar.

Progres Raporti identifikon korrupsionin si një shqetësim madhor e të gjithë pranuar dhe thekson rritjen e prokurimeve pa garë duke bërë thirrje për transparencë.

Progres Raporti thekson se, jo vetëm korrupsioni është një fenomen i përhapur në të gjitha fushat e jetës, por edhe niveli i përgatitjes së institucioneve të vendit për të luftuar dhe reduktuar korrupsionin është “nën mesataren” e duhur.

Lufta kundër krimit të organizuar-nën nivelin mesatar. Pra mungesa e vullnetit politik është e qarte.

Ky konstatim shoqërohet me rekomandimin për “më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, në rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit”.

“Të dhënat për rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit në nivel të lartë mbeten të pamjaftueshme dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej,”

Ndërsa një nga faqet me problematike është ajo që ju përket ju, pra mediat.

Liria e Shprehjes – përparim të kufizuar:

“Shqipëria ndodhet mes njëfarë niveli dhe një shkalle mesatare përgatitjeje lidhur me lirinë e shprehjes,” thekson raporti.

KE konstaton që “ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë.

Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar.

Komisioni Evropian përmes këtij Progres Raporti njeh gjithashtu shqetësimet për keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhjet e 14 majit, duke përfshirë edhe problemet e përmendura në raportin e ODIHR për zgjedhjet e 14 majit, si shitblerja e votës, keqpërdorimi i administratës shtetërore, presioni ndaj votuesve.

Raporti thekson se Parlamenti duhet të reformojë menjëherë Kodin Zgjedhor, duke marrë në konsideratë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për diasporën dhe votën e saj në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme problematika si më sipër të mos cenojnë procesin zgjedhor.", u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Ilir Meta.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni