Berisha: 100% dakord për rihetim të 21 janarit! "Strasburgu" u informua nga kushëriri i Ramës

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2023, 13:14 | Politikë

Berisha: 100% dakord për rihetim të 21 janarit! "Strasburgu"

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama hodhi idenë e një rihetimi nga drejtësia e re e ”21 janarit” vrasjen e 4 protestuesve në Bulevard dhe për këtë Sali Berisha shprehet se është 100% dakord. Në një dalje për mediat, Berisha tha se është i gatshëm për rihetimin e kësaj çështjeje, e teksa hodhi një lumë akuzash në drejtim të Edi Ramës, duke e bërë atë krejtësisht përgjegjës.

"Jam 100 përqind dakord për hetim dhe rihetim të çdo procesi, por sqaroj shqiptarët se nëse ai proces nuk është hetuar siç duhet, ai nuk është hetuar vetëm për shkak të Edi Ramës. Për të mbrojtur Edi Ramën, i cili është autori i vërtetë prapa asaj që ndodhi. I cili erdhi dhe e rrethoi kryeministrinë me banda dhe banditë, në një protestë më të dhunshmen në historinë e vendit. Me qëllime të caktuara ndaj pushtetit.

Edi Rama i ka të gjithë deklaratat e tij në televizion, se kur populli do të bëjë këtë, se kur populli do bëjë atë. Kështu që ishte ky kontekst që bëri që Ina Rama dhe jo akuzat e mia ndaj Ina Ramës. Se unë publikisht i bëra të qartë qëndrimet ndaj saj, të mos bëjë, ndoshta siç thotë Strasburgu, hetimin e duhur. E dyta, ky proces, në masën 80 përqind është hetuar pasi Sali Berisha ka ikur nga pushteti. Dhe është hetuar nga Ina Rama, një militante e verbër e PS, një person me kredencialet më të ulëta që mund të ketë një njeri. Ua them unë se kanë dalë shumë gjëra mbrapa. Dhe një person, që kur përfaqësuesi i qeverisë amerikane, erdhi dhe dha një kontribut të madh në atë kohë, e them me shumë vërtetësi, dhe unë kërkoja një prokuror ndërkombëtar për hetim, ajo refuzonte. Dhe aty, lexoni se çfarë tha zoti Countryman për Ina Ramën. I keni deklaratat në median tuaj", tha Berisha. 

Duke komentuar arsyetimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila argumentoi se për 21 janarin shteti ishte përgjegjës për vrasjen dhe mos zbardhjen e krimit, Berisha thotë se ka një keqardhje. Për ish-kreun e qeverisë, Strasburgu është informuar gabim nga kushëriri i Edi Ramës.

"Natyrisht nuk mund të mos them këtu, se keqardhja ime është se në atë vendim, ndodhet firma e Dorian Pavlit, kushëririt të Edi Ramës. Po të kishte qenë një gjykatës tjetër shqiptar, do të mund të kishte sqaruar gjykatësit e nderuar të Strasburgut, për të cilët unë them përsëri, për hetimin le të bëhet dhe ribëhet sa herë të jetë e nevojshme, do kishte sqaruar se kushëriri i Dorian Pavlit, është nxitësi kryesor i asaj që ndodhi, nga jashtë, me fakte dhe dokumente. Do kishte sqaruar se Ina Rama është një militante e partisë së Edi Ramës, e cila nuk bëri hetimin sepse i duhej të thërriste Edi Ramën. Sepse komuniteti ndërkombëtar kërkonte në mënyrë të prerë që të hetohen organizatorët dhe autorët e asaj që ndodhi. Po duket Dorian Pavli, ka qenë aty njëkohësisht avokat i Edi Ramës. Nuk ka qenë gjykatësi përfaqësues, i paanshëm i Shqipërisë", përfundoi Berisha.

Sipas Strasburgut, hetimi i vrasjes së Aleks Nikës kishte qenë jo efektiv, pasi nuk kishte përcaktuar të vërtetën apo çuan në identifikime ndëshkim të përgjegjësve. Gjykata europiane listonte me tej një sërë mangësish në hetim, që sipas saj ngjallnin se autoritetet shtetërorë ishin përpjekur ta devijonin hetimin.

Gjykata bënte përgjegjëse autoritetet shqiptare edhe mbi mënyrën e përdorimit të forcës nga autoritetet, apo menaxhimin e sigurisë në protestën e 21 janarit, që solli për pasojë vrasjen e protestuesve. Strasburgu theksonte mangësi në kornizën ligjore që rregullonte përdorimin e armëve të zjarrit në tubimet masive, si edhe mungesë bashkërendimi mes Gardës dhe Policisë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu