Maliqi sherr me Celibashin, KQZ nuk i heq mandatin kryebashkiakut të Kuçovës

Nga Ervin Koçi
14 Nëntor 2023, 16:38 | Politikë

Mosdeklarimi i dëbimit nga Greqia në formularin e dekriminalizimit nuk ishte shkak i arsyeshëm që Ilirjan Celibashi të krijonte bindjen për t’i ndërprerë mandatin Kryetarit të Bashkisë së Kuçovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori në shqyrtim  hetimin e thelluar të Prokurorisë së Përgjithshme ku rezultoi se Kreshnik Hajdari ishte dënuar 24 vite më parë në Greqi.

Për të treguar arsyet e këtij dënimi, kryebashkiaku i Kuçovës kishte ardhur personalisht në KQZ, por fjalën ia kishte deleguar avokatit.

“Rezulton që në vitin ‘99 kur Kreshnik Hajdari ishte në moshën 16 vjeç është kapur nga autoritetet greke për kalim të paligjshëm të kufirit. Është marrë masa qortim shoqëror dhe është larguar nga territori brenda 24orëve.”

Theodhori Sallaku – Avokati i Hajdarit

Përfaqësuesit e opozitës erdhën veti i pestë në sallën e KQZ për të dhënë secili argumentet e tij se përse duhej ndërprerë mandati Kreshnik Hajdarit ku kryesori ishte mosdeklarimi në formular i një dënimi të një shtetit tjetër, ndonëse pranuan se masa e dhënë ndaj tij ishte minore.

“Ndërprerje të menjëhershme të mandatit për shkak të mos deklarimit të një vendimi të forcës së prerë. Prokuroria e Përgjithshme e konfirmon që ka ekzistuar dhe se nuk është deklaruar. Mund të jetë një dënim relativisht i ulët, pak rëndësi ka kjo, rëndësi ka që nuk është deklaruar.”

Franci Nuri – Përfaqësues i opozitës

Argumentet e palëve nuk ndikuan në bindjen e Celibashit i cili në sallë kishte ardhur me idenë e qartë se Kreshnik Hajdarit nuk i duhet ndërprerë mandati, bazuar edhe në raste të tjera të ngjashme, ku që prej marrjes së drejtimit të institucionit, ka ndjekur të njëjtën logjikë.

“Në vlerësimin tim qëndron bindja që një subjekt i cili ka detyrimin për shkak të angazhimit që kërkon të marrë një zyrë publike të plotësoj një formular të vetëdeklarimit, nuk ka detyrimin të përfshijë të dhënat që nuk përbëjnë shkak për të kandiduar.”

Ilirjan Celibashi – Kreu i KQZ

Ky vendim acaroi Lefter Maliqin, kandidat i opozitës në zgjedhjet e 14 Majit, i cili sfidoi Kreshnik Hajdarin në Bashkinë e Kuçovës.

“Është një trup e skandal, nëse ka marrë para do të dalë një ditë. Ky që bën ky bashkë me këta, është turpi më i madh i Shqipërisë, diktaturë e pastër!”

Lefter Maliqi – Kandidat i koalicioni “BF” për bashkinë e Kuçovës

Celibashi zgjodhi të mos replikonte me të dhe përtej ftesës për t’u larguar nga salla, vijoi me miratimin e pikave të tjera të rendit të ditës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos