Ish-kryeministri i ka mbyllur çdo mundësi bashkëpunimi Lulzim Bashës. Në një kohë kur aleatët kërkojnë një tryezë të përbashkët opozitare, pa përjashtuar askënd, Berisha tha se “nuk shkel vijën e kuqe”, që largon Bashën dhe Enkelejd Alibeaj.
Ai e konsideroi Bashën si një “dordolec” që e përdor kryeministri Edi Rama.
“Unë qëndroj plotësisht te vija e kuqe. Siç e shihni ju, çdo javë dalin të dhëna të tjera tronditëse. Mos të mendojë kush se hetimi i 4 gazetarëve të BBC është i porositur nga Tirana. Jo, absolutisht. Por Lulzim Basha është përfundimisht i pakallur në rrafshin politik, e mban Edi Rama si shpifë arash. E di se çfarë është shpifa e arave?
Ta tregoj unë. Kur fillon të piqet misri ose gruri, vërshojnë zogjtë dhe sorrat për t’u ushqyer. Atëherë fermerët marrin e bëjnë një dordolec, dhe e vënë që shpendët të mendojnë se është një njeri. E përdor Rama në kuptimin figurative”, tha Berisha.
Mirëpo në këtë drejtim duket se nuk ka ndarë të njëjtën mendim me Bardhin, që u duk se i la një dritare hapur.
“Kushdo që ndjehet në opozitë në qeverinë e Ramës t’i bashkohet frontit opozitar, cilido që s’është opozitar i qeverisë Rama mos t'i bashkohet”, duke e lënë përgjegjësinë në dorë të kryedemokratit. (A2 Televizion)