Gjykata e Posaçme refuzon kërkesën e Safet Gjicit për zëvendësim të masës së sigurisë "arrest në burg".
Gjici kërkoi zbutje të masës me pretendimin se hetimi ka përfunduar, e për rrjedhojë shprehet se nuk ka mundësi për të cenuar e dëmtuar provat si edhe se nuk ka rrezikshmëri shoqërore.
Safet Gjici mbetet në burg me akuzën për korrupsion pasiv. Kjo sepse më 16 qershor, Gjici u shfaq në një video të publikuar online duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit. Më vonë, u publikua një tjetër fragment i asaj videoje ku Gjici diskutonte me vajzën në fjalë për mundësinë e akordimit të saj të një tenderi për menaxhimin e qenve endacakë të qytetit të Kukësit.
Edhe pse dha dorëheqjen, qeveria vendosi ta shkarkojë kryebashkiakun socialist në mbledhjen që u mbajt po atë ditë.
Gjici drejtonte prej vitit 2019 Bashkinë e Kukësit dhe fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet e 14 majit, mandat që e ndërpreu pa filluar mirë. (A2 Televizion)