Ftesa për bashkimin e opozitës, Berisha dhe Bardhi refuzojnë prezencën e Bashës: Është vija e kuqe

Nga Anesti Barjamemaj
14 Nëntor 2023, 16:30 | Politikë

Sali Berisha dhe Gazment Bardhi janë gati që të bashkohen me të gjithë faktorin opozitar, por jo me Lulzim Bashën. Si lideri i Rithemelimit ashtu edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, refuzuan përpjekjen e aleatit Agron Duka, për të bashkuar opozitën, duke e cilësuar Bashën si një njeri që nuk përket i opozitës por përdoret nga Kryeministri Rama.

“Unë qëndroj plotësisht te vija e kuqe. Siç e shihni ju, çdo javë dalin të dhëna të tjera tronditëse. Mos të mendojë kush se hetimi i 4 gazetarëve të BBC është i porositur nga Tirana. Jo, absolutisht. Por Lulzim Basha është përfundimisht i pakallur në rrafshin politik, e mban Edi Rama si shpifë arash.”

SALI BERISHA – PARTIA DEMOKRATIKE, RITHEMELIMI

Jo të gjithë e kuptuan, ndaj u detyrua të bënte një shpjegim.

“Kur fillon të piqet misri ose gruri, vërshojnë zogjtë dhe sorrat për t’u ushqyer. Atëherë fermerët marrin e bëjnë një dordolec, dhe e vënë që shpendët të mendojnë se është një njeri. E përdor Rama në kuptimin figurativ”.

SALI BERISHA – PARTIA DEMOKRATIKE, RITHEMELIMI

Refuzimi i Berishës për t’u ulur me Bashën, u konfirmua edhe nga kreu i grupit, Gazment Bardhi.

“Kushdo që ndjehet në opozitë me qeverinë e Edi Ramës t’i bashkohet frontit opozitar. Pyesni z. Basha nëse është në opozitë. Unë nuk e shikoj fare siç nuk e shikoni ju. E kam parë vetëm një herë të vraponte kur duheshin votat në seancë të ligjit të çimentimit të kapjes nga Edi Rama të Gjykatës Kushtetuese dhe besoj nga ajo ditë ka humbur nga vështrimi. Nuk e kam kërkuar sepse nuk është misioni im të kërkoj të humburit.”

GAZMENT BARDHI – KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

Deklaratën pas mbledhjes me Grupin Parlamentar, Berisha e shfrytëzoi edhe për të njoftuar ndryshime në kabinetin qeveritar, që thotë se do të zyrtarizohen në Kongresin e Dhjetorit të Partisë Socialiste.

“Po bëhen gati rigrupime të tjera, riformatime të tjera të qeverisë, të cilat synojnë asgjë tjetër, veçse konsolidimin e krimit ne këtë qeveri. Unë thashë ju, futja e Taulant Ballës, ishte dorëzimi përfundimisht i rendit tek krimi. Po tani shqyrtohet futja edhe e të tjerëve në mënyrë që krimi të saldohet”.

SALI BERISHA – PARTIA DEMOKRATIKE, RITHEMELIMI

Lidhur me aksionin e opozitës në Parlament, ish-kryeministri dhe Bardhi deklaruan se protesta do të vijojë dhe pohuan se deputetët janë gati për çdo sakrificë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni