
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, zhvilloi takime të rëndësishme me drejtuesit më të lartë të Ukrainës, duke përfshirë Presidentin Volodymyr Zelenskyy, Kryetarin e Parlamentit Ruslan Stefanchuk, Kryeministrin Denys Shmyhal, zv/Kryeministren Olga Stefanishyna dhe Ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha.
Gjatë këtyre takimeve u shkëmbyen instrumentet e ratifikimit të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi, i cili synon forcimin e bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian.
Në një postim në rrjetin social X, Ministri Hasani theksoi rëndësinë e këtyre hapave në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës. "Shqipëria qëndron me vendosmëri me Ukrainën në rrugën e saj drejt paqes, sigurisë dhe të ardhmes evropiane," u shpreh ai.
Hasani theksoi se nënshkrimi i këtyre dokumenteve simbolizon jo vetëm një partneritet të ngushtë politik dhe diplomatik, por edhe angazhimin e dy vendeve për të punuar së bashku në kuadër të synimeve dhe vlerave të përbashkëta evropiane.
Gjatë vizitës së tij në Kiev, ministri Hasani diskutoi gjithashtu mbi sfidat që Ukraina po përballet në kushtet e agresionit të vazhdueshëm dhe riafirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Ky zhvillim përfaqëson një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës, duke treguar qartë përkushtimin e dy vendeve për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm në të gjitha fushat.
(A2 Televizion)