Kuvendi nuk do të ketë më qetësi. Këtë paralajmëroi Sali Berisha dhe Gazment Bardhi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Njëzëri, Berisha dhe Bardhi pohuan se nëse maxhoranca nuk miraton kërkesat e tyre, do të përdorin çdo mjet për të bllokuar shumicën.
“U diskutua gjerësisht se si t’i përgjigjemi dhëmbë për dhëmbë, përpjekjeve të Edi Ramës për të vazhduar me mohimin e të drejtave Kushtetuese të deputetëve në parlament. Unë ju kërkojdeputetëve socialistë mos merrni rolin e provokatorit”, tha Berisha.
“Nuk do t’i lejojmë që të bëjnë punën e tyre. Dhe bëjnë mirë që në vend që të konfrontohen me deputetët e opozitës që kërkojnë të drejtat minimale, të ngrenë zërin në mbledhjet e tyre për të thënë mjaft është mjaft. Opozita nuk mund të asgjësohet në parlament”, u shpreh Bardhi.
Si lideri i Rithemelimit, ashtu edhe kreu i grupit amnistuan dhunën në seancën e fundit, ku demokrati Bledion Nallbati drejtoi grushtin ndaj Vullnet Sinës, akt për të cilin bëjnë fajtor deputetin socialist.
“Dhunën e filloi ai tjetri, i cili për të thyer protestën tonë, iu nënshtrua kryetares, çfarë kryetare, se nuk është kryetare ajo, të parlamentit, që e mbushi me gardistë parlamentin dhe kërkonte t’u kundërvihej protestës tonë, duke ja dhënë fjalën këtij dhe atij”, theksoi Berisha.
“Sa kohë që ne e kemi bërë publik qëndrimin tonë që nuk do ketë aktivitet normal të parlamentit, sa kohë ne pengohemi të përmbushim misionin tonë. Do të presësh sjellje dhe akte në mbrojtje apo vetëmbrojtje nga ana e deputetëve të opozitës”, shtoi Bardhi.
Demokratët theksuan se beteja parlamentare do të vijojë, pa përjashtuar skenarin e grevës së urisë, nëse opozitës nuk i jepen të drejtat e saj Kushtetuese. (A2 Televizion)