Molotov dhe goma të djegura para Bashkisë, Këlliçi: Gaboheni nëse mendoni se do na ndalni

Nga A2 CNN
14 Qershor 2024, 11:59 | Politikë

Opozita mban protestën e radhës përpara Bashkisë së Tiranës, këtë të premte, ku kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Me qindra protestues u mblodhën para bashkisë duke hedhur molotov dhe i vunë zjarrin disa gomave. Ndërkohë, ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, iu drejtua mazhorancës duke i thënë se gabojnë nëse mendojnë se opozita do të ndalet.

“Ju mendoni se ne do të ndalemi, ju mendoni se duke hedhur gaz lotsjellës do të ndalemi? E keni gabim, të gjithë hajdutët do të shkojnë atje ku e meritojnë. Nëse mendoni se kjo betejë është pa bazë e keni gabim. PD-ja sot është me logon e saj, flamurin dhe njerëzit e saj, në betejë për të vërtetën dhe Shqipërinë, për të gjithë qytetarët. I bëj thirrje policisë së shtetit, askush nuk e ka betejën me ju. Guxoni dhe prekni qytetarët, silluni si banditë dhe si banditë do të trajtoheni.

Është protesta e 12-të që jemi bashkë. Në vend që të përballeni me hajdutët përballeni me qytetarët e thjeshtë, ne pa çuar Erion Veliaj dhe drejtorët e Bashkisë para drejtësisë, nuk do të ndalemi.

Nëse mendoni se do të bëjmë hapa pas ne nuk do të tërhiqemi. Demokratë mos u mërzisni, kanë qenë 30 muaj të vështirë, por me qëndresën tuaj ia dolëm të rrëzonim planin e Ramës për të lënë vendin pa opozitë”, u shpreh ish-deputeti demokrat.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024