Për rreth 7 orë delegatët e Kongresit socialist dëgjuan për platformën e qeverisë me prezantimin e ministrave për arritjet dhe projektet e së ardhmes. Në këtë Kongres të jashtëzakonshëm, pak hapësirë i ishte kushtuar platformës për organizimin dhe hapjen e partisë.
Në një fjalim prej 90 minutash kryesocialisti, njëkohësisht kryeministri Edi Rama u fokusua tek integrimi, drejtësia dhe Inteligjenca Artificale. Këtë të fundit do ta implementojë si risi në procesin e integrimit, duke zëvendësuar përkthyesit dhe juristët me chatGPT.
“Mbi 4 mijë akte ligjore dhe nënligjore për të përafruar legjislacionin me BE. 510 masa kemi ndërmarrë deri tani. Shqipëria këtë punë do ta bëjë shumë herë më shpejt se sa më i shpejti e ka bërë më parë. Kërkova ndihmën e Mira Muratit për të na ndihmuar në procesin e integrimit. Planin do ja prezantoj edhe BE”, tha Rama.
Përpos planeve të Shqipërisë, inatet fqinjësore për çështjen Beleri mund të pengojnë idetë inavotore të Ramës. Edhe pse Kryeministri nën rreshta la të nënkuptojë se se ende nuk e ka humbur shpresën se Greqia mund të heqë dorë nga vetoja.
“Ne do të shkojmë në Bruksel javën e ardhshme me kokën lart, vetëm një shtet e ka lënë ende pezull opinionin e vet, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike të fqinjësisë, Greqia. Ne nuk ndryshojmë qëndrim sepse arsye për të mos ndryshuar qëndrim është më kokëfortë. Nuk dua ta besoj që fqinjët tanë do të vënë veton. Në rast se ndodh nuk do të kthehem nga Brukseli i mërzitur, more asnjë fije. Por do të kthehem edhe më i bindur se një absurditet nuk do të pengojë anëtarësimin tonë në BE. Madje më i vendosur për ta përshpejtuar këtë proces. Asnjë cic-mic ballkanik apo gërr-gërr europian nuk e bllokon integrimin e Shqipërisë”, shtoi kryeministri.
Edi Rama këmbëngul fort që të shënjojë në opinionin publik se ai dhe PS janë aktorët kryesorë të shtetit modern shqiptar nëpërmjet reformës në drejtësi. Por sipas kryeministri kjo drejtësi duhet të japë rezultate konkrete.
“Reforma në drejtës më e thella më e komplikuar e ndërtimit të shtetit modern. Nuk është një reformë importi. Ende nuk është një drejtësi e drejtë për të gjithë shqiptarët. 21 janari është peng i drejtësisë së vjetër. Nuk ka shkuar ende drejtësia te prokuroria e Tiranës”, u shpreh Rama.
Shtet digjital për të luftuar korrupsionin, ky është projekti i kryeministrit, që mendon se do t’i jepte fund këtij fenomeni që jo rrallë herë ka infektuar edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
“Karrigia e pushtetit është një kafshë e egër, që të mbush xhepin, por të heq mendjen. PS qëllon të ta japë privilegjin të ulesh në karrige, por për ta mbajtur është përgjegjësia juaj. Korrupsioni do të vijojë deri sa të arrihet modernizimi i sistemeve të shërbimeve nëpërmjet teknologjisë”, tha Rama.
Minutat e fundit të Kongresit ja kushtoi PS. Ardhja e pranverës do të sjellë ndryshime në strukurat e forcës politike që në zgjedhjet e ardhshme synon mandatin e 4.
Herë pas herë delegatët e PS nuk e fshehën lodhjen e qëndrimit pa lëvizur për rreth 7 orë të ulur në karriget e sallës së Kongresit. Fundi i fjalimit të Ramës i çliroi edhe nga ky detyrim.
Ndërsa anëtarët e Asamblesë qëndruan edhe për disa minuta për të votëbesuar sekretariatin ekzekutiv të PS që morën detyrën në shtator të këtij viti.
(A2 Televizion)