Noka si Berisha: “Skap”, organizatë kriminale që synon të shuajë opozitën

Nga A2 CNN
6 Janar 2024, 13:50 | Politikë


Njësoj si Sali Berisha, edhe Flamur Noka hodhi akuza të forta në drejtim të SPAK. Teksa e quante “Skap”, Noka tha se ky institucion është shndërruar në një organizatë të strukturuar kriminale që sipas tij ka për qëllim që të shuajë opozitën.

Në fjalën që pati në mbledhjen e Kryesisë, të parën pa prezencën e Sali Berishën, Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së së Rithemelimit, tha se pavarësisht se SPAK nuk po bën drejtësi, opozita do të marrë në dorë fatet e vendit.

“A i lexoni lajmet për Ramën, që harxhon mijëra dollarë në natë për të fjetur në hotelin e Trumpit? Të atij që deri dje e quante “turp të qytetërimit”. A e dini se pasi flinte në hotelin e Trump, shkonte dhe darkonte me darka dhjetëra mijëra dollarëshe me McGonigalin. Të cilit i paguante qindra mijëra dollarë për të lobuar kundër PD, kundër Sali Berishës. Por për të gjitha këto, ai ka mburojë mercenarët e SKAP-it, Dumanër e kompani, që rrëmbejnë gazetarë për të fshirë emrin e tij nga dosje krimi.

Ne e kuptuam kush ishte SKAP që ditën e pare, kur dosjet 184 dhe 338 të masakrës zgjedhore në Durrës dhe Dibër, ua përcolli prokurorive të rretheve. Me këtë veprim SPAK i dha viziton krimit zgjedhor dhe u pozicionua politikisht duke u bërë hanxhar politik në duart e Ramës kundër zgjedhjeve të lira dhe opozitës.

Sot, me veprimet ndaj Sali Berishës dhe liderëve të tjerë të opozitës, po vazhdon misionin politik si organizatë e strukturuar kriminale për të shuar opozitën.

Kjo nuk është drejtësi. As e re dhe as e vjetër. Kjo është poshtërsi. Por, ne nuk do ta lejojmë poshtërsinë që të përmbysë Shqipërinë. Ne do t’i marrim në dorë fatet e vendit, siç bëmë para 33 vitesh, siç bëmë në 2005. Është detyra dhe fati jonë. Është detyra e shqiptarëve që të ngrihen për një Shqipëri normale, ku të bardhës i thuhet e bardhë dhe të zezës së zezë”, tha Noka.

Më herët, ai bëri thirrje për mosbindje civile, duke thënë se me arrestimin e Sali Berishës, Edi Rama i hapi luftë PD-së dhe opozitës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos