“Një fazë e një procesi të nisur shumë kohë më përpara.” Kështu e ka cilësuar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendin e 2 dhjetorit, të mbajtur nga grupi i “Rithemelimit” të shtunën.
I pyetur nga gazetarët për një përgjigje më konkrete, Gazment Bardhi theksoi se për këtë çështje ka folur më herët dhe se nuk do të përsërisë vetën.
Uniteti brenda sallës së Kuvendit, duket se nuk qëndron mes dy grupeve jashtë sallës së Parlamentit. I pyetur nga gazetarët për mungesën e Bardhit dhe deputetëve të tij në Kuvendin Kombëtar, edhe Sali Berisha refuzoi që të përgjigjej.
Megjithatë, Gazment Bardhi theksoi se bashkimi i partisë, është në agjendën e përbashkët e opozitës dhe një proces që vijon “brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit.”
Ndërsa, i pyetur nga A2 CNN për draftin e propozuar nga mazhoranca socialiste për Komisionet Hetimore, Bardhi tha se bëhet fjalë për një “ligj tipik komunist”, teksa shtoi se janë socialistët ata që nuk kanë dashur të bashkëpunojnë.
“Ka qenë mazhoranca ajo që, edhe pse premtoi të ngrinte një grup të posaçëm, ka refuzuar për ta ngritur një grup të tillë. Kam shprehur gatishmëri për dialog. Ka qenë mazhoranca që refuzon për t’iu rikthyer rrugës së kushtetutshmërisë.”
Sa i përket kaoisit të sotëm në Kuvend, Bardhi theksoi se aksioni do të vijojë derisa mazhoranca të reflektojë. (A2 Televizion)