Pas paralajmërimeve me deklarata, Partia Demokratike zyrtare dhe Rithemelimi kanë zyrtarizuar paditë në Gjykatën Kushtetuese kundër marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.
I pari ishte deputeti Kreshnik Çollaku, i grupimit të Bashës, që njoftoi nga selia se Partia Demokratike zyrtare kishte depozituar kërkesën ndaj trupës kushtetuese.
“Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë. Pezullimin e procedurës parlamentare për. Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të marrëveshje së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë”.
KRESHNIK ÇOLLAKU – DEPUTET, PARTIA DEMOKRATIKE
Pak minuta pas kësaj deklarate në dyert e Gjykatës Kushtetuese trokiti dhe deputetja Lindita Metaliaj, e cila në emër të Grupit Parlamentar Bardhi-Berisha dorëzoi padinë e firmosur nga 28 deputetë.
“Ne kemi kërkuar deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën protokollin mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për forcimin e bashkëpunimit në fushën e emigracionit. Po ashtu kemi kërkuar pezullimin e procedurave për ratifikimin e protokollit mes qeverisë së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Ne do të presim vendimin e gjykatës Kushtetuese dhe nëse pajtohet apo jo kjo marrëveshje me Kushtetutën e Shqipërisë.”
LINDITA METALIAJ – DEPUTETE, PARTIA DEMOKRATIKE
Marrëveshja e firmosur nga Edi Rama dhe Giorgia Meloni ka marrë pëlqimin e të dy qeverive, ndërkohë nga kjo e martë ka nisur në Parlament dhe procedura për shqyrtimin e saj dhe pritet që të votohet në seancën plenare të 21 Dhjetorit. (A2 Televizion)