Partia Demokratike ka bërë gati dhe do të dorëzojë në parlament amendamentet për të mbështetur SPAK-un në misionin që ka marrë përsipër. Kjo u njoftua nga kreu demokrat, Lulzim Basha, në një konferencë me gazetarët, ku përkrah edhe sekretarëve Kthupi dhe Sefa foli për amendamentet që kanë përfunduar, të cilat sipas tij do të përmirësojnë kapacitetet e SPAK dhe do të godasin korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.
“I pari ka të bëjë me dispozitat ligjore që ndihmojnë në fuqizimin strukturor të SPAK-ut dhe i dyti ka të bëjë me ndryshimet e kodit të procedurës penale me qëllim mbushjen, sipas standardeve europiane të vakumeve ligjor në raport me ekzekutimin e vendimeve të huaja penale dhe kompetencat e GJKKO në raport me njohjen e vendimeve të huaja penale. Këto kanë për qëllim të përmirësojnë kapacitetet e SPAK dhe goditjen e korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar dhe për t’i shërbyer një prioriteti kombëtar si lufta kundër korrupsionit.”
Duke e konsideruar korrupsionin prioritet kombëtar, Basha tha se do të mbështesë organet e drejtësisë nga sulmet e të pushtetshmëve që intimidojnë veprimet e drejtësisë.
“Raporti i DASH konfirmoi atë që shqiptarët e dinë dhe e prekin çdo ditë. Korrupsioni është problemi më madhor i kësaj qeverie dhe një nga problemet më të mëdha të vendit që lidhet me krizën ekonomike kostot e jetesës. Ushqehet përditë nga qeveria e Ramës dhe zgjedhësit vendorë përmes skemave që sofisktikohen. Në krye të kësaj skeme qëndron Edi Rama. Nuk mund të ketë një qeverisje kaq të korruptuar dhe në krye të jetë një kryeministër i ndershëm. Konfirmon luftën kundër korrupsionit si prioritet kombëtar. Konfirmon prioritetin tonë në raport me zhvillimet politike dhe alternativën qeverisëse dhe drejtësinë e mbështetjes sonë për SPAK, në veçanti nga sulmet që i vijnë nga të pushtetshmit e qeverisë dhe pushteti vendor që janë në përpjekje për të intimiduar çdo veprim të SPAK dhe organeve të drejtësisë”.
Ai u bëri thirrje faktorëve politikë që kërkojnë drejtësi, të bashkohen në një front të përbashkët.
Nëse nuk do kishim Ramën në këtë qeveri të korruptuar nuk do të kishim këtë korrupsion galopant. SPAK ka lindur si nevojë për të luftuar këtë nivel gjigant korrupsioni dhe për t’i thënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Përsëris thirrjen për çdo faktor politik për të forcuar një front të përbashkët me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që kërkojnë drejtësi e të ardhme më të mirë. Vlerësoj punën e organizatave dhe donatorëve të huaj dhe u bëj thirrje që të mos reshtin përpjekjen për antikorrupsion”. (A2 Televizion)