Pensionet, NATO dhe koncerti i West, PD quan antikushtetuese aktet normative të ndryshimit të buxhetit

Nga Indrit Maraku
21 Korrik 2026, 15:21 | Politikë

Pensionet, NATO dhe koncerti i West, PD quan antikushtetuese aktet normative

Komisioni i Ligjeve miratoi mes debateve dy aktet normative për ndryshimin e buxhetit, të cilat u konsideruan si antikushtetuese nga opozita. Me njërin prej akteve Qeveria indeksoi pensionet dhe plotësoi detyrimet e shpenzimeve për Mbrojtjen para Samitit te NATO-s qe u mbajt në Ankara. Me aktin tjetër u dhanë mbi 4 mln Europër koncertin e Kanye West. Sipas demokratëve, asnjë prej këtyre rrethanave nuk përligj kushtet e urgjencës.

Demokratët e quajtën antikushtetues ndryshimin dy herë të buxhetit me akte normative, ku argumentuan se nuk përligjet koncepti kushtetues i nevojës dhe urgjencës.

“Nga pikëpamja ligjore është tërësisht e gabuar, tërësisht antikushtetuese, është objekt vepër penale”, tha Ndoja.

 “Nuk kishte kohë për procedurë normale 2 mujore”, tha ministri Malaj.

 “Edhe ju kështu i keni sjellë në kohën tuaj”, vijoi Ulsi Manja.

 “Ka qenë antikushtetuese sa herë ka ndodhur”, reagoi Bylykbashi.

Akti i parë normativ afroi indeksimin e pensioneve, ndërsa shtoi fondet për mbrojtjen në prag të samitit të NATO-s në Ankara, çka sipas Qeverisë përligj urgjencën.

“Nuk arsyetoni çfarë ju erdhi urgjente? Samiti i NATO-s ka qenë i parashikuar”, vijoi Bylykbashi.

“Ndryshimet duhet të ndodhin para konferencës së datës 7 korrik”, tha ministri Malaj.

“Po kur e more vesh mer vlla, një natë përpara që ka samit në Stamboll?” deklaroi Strazimiri.

E njëjta qasje edhe për aktin tjetër normativ, me të cilin Qeveria dha mbi 4 mln euro nga fondi rezervë për koncertin e Kanye Ëest.

“Se këta e duan Shqipërinë koncert në vitin 36, e ke pa atë filmin?”, tha Manja.

Për ministrin Gonxhja, paparashikueshmëria dhe emergjenca u krijuan për shkak të protestës, por opozita kishte tjetër lexim.

“Koncerti u kthye në një mulli ere ndaj të cilit u lëshua çdo donkishot” tha Gonxhja.

“Keni sjellë një akt për të ligjëruar një vjedhje”, u shpreh Blushi.

 “Unë do përpiqem që kjo çështje të shkojë drejt GJK, se nuk ka pikën e dyshimit që ky parlament s’do bëjë rolin e vet kushtetues”, u shpreh Bylykbashi.

Me votat pro të shumicës socialiste të dyja aktet u miratuan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos