
Në kallëzimin penal të depozituar në Prokurorinë e Durrësit, pak përpara shkarkimit të saj, ish-drejtoresha e Filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, pretendon se kishte ngritur shqetësime për parregullsi në administrimin e fondeve që në fillim të muajit mars 2026.
Sipas saj, më 3 mars ajo kishte informuar Drejtorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare për hyrjen e personave të paautorizuar në arkë dhe për tërheqjen e shumave monetare nga përgjegjësja e financës, ndonëse kjo e fundit nuk e kishte një kompetencë të tillë. Pas kërkesës së Matajt, u miratua ngritja e një grupi kontrolli për Filialin Durrës dhe Degën Shijak.
Kontrolli evidentoi një sërë shkeljesh, mes të cilave transportimin e parave me thasë pa vulë sigurie, nxjerrjen e vlerave monetare nga arka dhe dërgimin e tyre në zyrën e përgjegjëses së financës, kryerjen e veprimeve bankare jashtë procedurave, si dhe dorëzimin e kartëmonedhave të dëmtuara pa mandate dhe pa dokumentacion provues.
Në relacion përmendet edhe një rast kur fizikisht ishin dorëzuar 600 mijë lekë, ndërsa në faturë ishte pasqyruar shuma prej 500 mijë lekësh. Sipas grupit të kontrollit, këto veprime krijonin rrezik të lartë për deficit financiar, abuzim dhe përvetësim fondesh.
Grupi rekomandoi masa ndaj arkëtares Paola Dana, ndryshimin e pozicionit të saj, si dhe riorganizimin e zyrës së financës, përfshirë lëvizjen e përgjegjëses së sektorit dhe llogaritares së parë.
Mataj thotë se më 12 dhe 13 mars i propozoi Drejtorisë së Përgjithshme marrjen e masave disiplinore ndaj punonjëseve të përfshira. Megjithatë, Drejtoria e Burimeve Njerëzore i ktheu përgjigje se propozimet nuk përputheshin me relacionin e kontrollit, pa sqaruar konkretisht se ku qëndronte kjo mospërputhje.
Sipas ish-drejtoreshës, pavarësisht takimeve, shkresave dhe komunikimeve të vazhdueshme me strukturat qendrore të Postës Shqiptare, asnjë masë konkrete nuk u mor. Ndërkohë, llogaritarja e parë dha dorëheqjen, ndërsa propozimet për ndryshimin e pozicioneve të punonjëseve të tjera mbetën pa përgjigje.
Ndërkohë, në kallëzimin e bashkëshortit të saj ngrihen dyshime dhe për fondet e tërmetit, duke pretenduar se skema e abuzimit është e vjetër. (A2 Televizion)