Autori i maskuar me paruke dhe xhup, tre të plagosur në Elbasan, shpëton shënjestra e atentatit

Nga Igli Çelmeta
21 Korrik 2026, 15:17 | Kronikë

I veshur me xhup dhe i dyshuar se ishte maskuar me paruke, autori iu afrua verandës së një lokali në lagjen "Banesa" të Elbasanit ku hapi zjarr me pistoletë.

burimeve të A2 CNN thanë se ai qëlloi shtatë herë. Të plagosur mbetën Renaldo Mançe, 31 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç, si dhe kamerierin e lokalit, 19-vjeçarin Bjorgi Hoxha. Fatmirësisht, të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Por asnjë prej tyre nuk ishte objektivi i atentatit. Burime policore i thanë A2 CNN se shënjestra e autorit ka qenë një tjetër person që ishte në lokalin ku ndodhi sulmi dhe që arriti t'u shpëtojë plumbave. Burime për A2 CNN bëjnë me dije se shënjestër dyshohet se ka qene nipi i një personazhi të njohur të botës së krimit në Elbasan.

Autori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes por në ndjekje u vu një oficer policie që më atë moment ndodhej jashtë shërbimit ku po qëndronte me dy fëmijët e tij. Edhe pse pa  armën e shërbimit me vete, efektivi u vu në ndjekje të autorit i cili gjatë largimit hodhi në tokë pistoletën, e cila është sekuestruar nga grupi hetimor dhe që do të shërbejë për të gjetur prova për identifikimin e agresorit.

Ngjarja ndodhi në lagjen "Banesa", një zonë e njohur në Elbasan si problematike dhe dyshimet janë për përplasje mes grupeve. Policia po vijon hetimet për kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve të atentatit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos